Sport

Maqedonia e Veriut fton gjashtë futbollistë shqiptarë për duelet e Ligës së Kombeve

Përzgjedhësi i Maqedonisë së Veriut, Bllagoje Milevski, ka publikuar të hënën listën e futbollistëve për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve me Gjeorgjinë dhe Bullgarinë.

Për këto dy ndeshje që i takojnë Grupit 4 të Ligës C të Ligës së Kombeve, Milevski ka ftuar 27 futbollistë, ndërsa në mesin e tyre gjashtë shqiptarë. Mbrojtësit Ezgjan Alioski e Visar Musliu, mesfushorët Enis Bardhi, Arijan Ademi, Agon Elezi, si dhe sulmuesi Valon Etemi janë përfshirë në listën e përzgjedhësit Milevski. Maqedonia e Veriut grumbullimin për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve e nis më 19 shtator në Shkup.

Ndeshjen e parë e luan në udhëtim ndaj Gjeorgjisë më 23 shtator, kurse tri ditë më vonë e pret Bullgarinë në stadiumin “Todor Proeski”.

Pas katër ndeshjeve të luajtura deri më tani në këtë edicion të Ligës së Kombeve, Maqedonia e Veriut zë vendin e dytë në grup me shtatë pikë, tri më pak se Gjeorgjia, që është e para.