Sport

Maxhuni optimist para një të tetës së finales

Basketbollisti kosovar i Finlandës, Edon Maxhuni, vazhdon të intervistohet nga mediat serbe që po e përcjellin nga afër Eurobasketin. Finlanda ishte në grup me Serbinë dhe gjatë qëndrimit në Pragë gazetarët serbë kanë intervistuar disa herë Maxhunin, njërin prej më të mirëve te Finlanda.

Eurobasketi tani bartet në Berlin, ku zhvillohet faza nokaut. Finlanda fazën grupore e përfundoi në pozitën e dytë me tri fitore e dy humbje, bilanc të cilin e kishte edhe Polonia në vendin e tretë. Grupin D e ka fituar Serbia, që ishte bindëse në të gjitha pesë ndeshjet dhe tashmë llogaritet prej favoriteve për triumf në Evropianin e basketbollit. Prej grupit D në një të tetën e finales ka kaluar edhe Çekia.

Një e teta e finales fillon të shtunën, ndërsa Finlanda të dielën luan me Kroacinë prej orës 14:45.

Kroacia ishte e treta në grupin C.

“Në ndeshjen ndaj Serbisë e kemi parë se ku duhet të përparojmë. Serbia na ka kthyer në realitetin e basketbollit. Jemi mobilizuar dhe në dy ndeshjet e fundit kemi luajtur më mirë. Të shohim çka do të ndodhë në Berlin”, ka thënë Maxhuni për “b92.net”.

“Tani secili mund ta mposhtë secilin, në pyetje është një ndeshje. Ne duhet ta luajmë lojën tonë, të japim 100 për qind dhe kur luajmë së bashku mund ta mposhtim secilin në turne”, ka shtuar Maxhuni.

24-vjeçari është organizatori i parë i përfaqësueses së Finlandës. Në Eurobasket po luan me 8.8 pikë dhe katër asistime për ndeshje.

Edon Maxhuni sërish është pyetur për lidhjen që e ka me babain, ish-basketbollistin e suksesshëm kosovar, Besim Maxhunin.

“Më ndihmon shumë, e kam si trajner personal. Ka përcjellur ndeshjet tona nga palestra dhe ky është moment i veçantë për mua. Ne flasim shumë për basketbollin, për detajet që trajnerë të caktuar nuk i thonë. Ai më ndihmon aq sa mundet”, ka shtuar Edon Maxhuni.

Një prej këshillave më të rëndësishme që i ka marrë nga babai është që të ketë vetëbesim.

“Që të kem shumë vetëbesim. Shumë prej ballkanasve e kanë këtë vetëbesim, e duan basketbollin dhe shfaqin emocione. Këtë duhet ta bëj edhe unë, është mënyrë se si përparon. Nëse nuk besoni në vete, askush nuk do t’u besojë”.

Në Eurobasket po paraqitet edhe një basketbollist shqiptar. Bëhet fjalë për Erxhan Osmanin, që luan me Turqinë.

Turqia e luan ndeshjen e parë në një të tetën e finales. Të shtunën prej orës 12:00 takohet me Francën.

Sllovenia – Belgjika (14:45), Gjermania – Mali i Zi (18:00) dhe Spanja – Lituania (20:45) janë ndeshjet tjera të së shtunës.

Të dielën janë këto takime: Ukraina – Polonia (12:00), Finlanda – Kroacia (14:45), Serbia – Italia (18:00), Greqia – Çekia (20:45).