India në dy raste kishte diskriminuar sportistët kosovarë, përkatësisht boksieren Donjeta Sadiku, duke mos e lejuar të paraqitet në ngjarjet e mbajtura në atë vend. Por fuqia e sportit është shumë e madhe e po ashtu fama e Majlinda Kelmendit në mesin e xhudisteve të reja.
Majlinda tashmë i ka dhënë fund karrierës si xhudiste, por ajo vazhdon të inspirojë xhudiste të reja nëpër botë.
Është xhudistja e re nga India, Linthoi Chanambam, që ka treguar se frymëzohet nga kampionia e parë olimpike nga Kosova. Chanambam ka fituar titull të botës për kadete në Botërorin e mbajtur në Sarajevë ditë më parë.
“Majlinda Kelmendi nga Kosova është inspirimi im... Ajo është inspirimi im pasi është kampionia e parë olimpike nga Kosova. Kështu që ndiej se një ditë mund të bëhem si ajo”, ka thënë xhudistja 16-vjeçare.
Rrugëtimi i Majlindës shërben si inspirim për shumë sportistë nëpër botë. Ajo ka dy tituj të botës e shumë të Evropës, ndër të tjera. Disa herë ishte shpallur më e mira në botë dhe në Evropë. Dhe vinte nga një vend pa shumë traditë në sportin e xhudos.
Sukseset që Majlinda e trajneri Driton Kuka kanë arritur shërbejnë si model për sportistët nga shumë vende. Edhe ata nga India.
Xhudistja indiane fitoi të artën në kategorinë deri 57 kilogramë. Dhe tani në nderim të saj po mbahen ceremoni të ndryshme në Indi.
Chanambam është kampionia e parë botërore në xhudo nga India.
Kosova, nëse merren për bazë edhe kategoritë e reja, ka shumë kampionë botërorë e evropianë. Ndërkohë i ka tri medalja të arta olimpike. Pos Majlindës, të arta kanë fituar edhe Nora Gjakova e Distria Krasniqi. E arta olimpike është medalja më e vlefshme në sport.
Majlinda tashmë po punon si trajnere. Është pjesë e ekipit të trajnerëve të Driton Kukës. Nxënëset e Majlindës dhe Driton Kukës po vazhdojnë me suksese. Këtë fundjavë Enise Zijade ka fituar medalje të bronztë në Ballkanikun për fëmijë, përkatësisht për grupmoshën U15.