Sport

Avdijaj, nga sulmuesi i skandaleve në shpresë të Zuerichut

 

Pesë ndeshje, asnjë fitore, me vetëm dy gola dhe ëndërr të shuar për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve. Kampioni në fuqi i Zvicrës, Zuerichu, pati një start katastrofal në sezonin e ri. Tani, transferimi më i ri i klubit, Donis Avdijaj (25), do të duhet ta nxjerrë nga kriza Zuerichun. Sulmuesi kosovar pati një rënie në karrierë vitet e fundit dhe skandale të shumta që e përcollën, por Avdijaj gradualisht e ka marrë veten dhe te Zuerichu po shihet si lojtar kyç për këtë sezon. Avdijaj në fillim të kësaj jave iu bashkua Zuerichut nga Hartbergu i Austrisë dhe me kampionin zviceran ka firmosur për tre vjet. Rol të rëndësishëm në transferimin e tij te Zuerichu luajti trajneri Franco Foda.

“Mundësia që të stërvitem sërish me të, më bëri ta marr këtë vendim”, tha Avdijaj pasi u prezantua me fanellën e Zuerichut.