Sport

Lewandowski thotë se është i uritur për sukses te Barcelona

Robert Lewandowski u prezantua zyrtarisht si lojtar i Barcelonës të mërkurën dhe këmbënguli se ai ka ende uri për të vazhduar me shënimin e golave. Sulmuesi polak, i transferuar nga Bayern Muencheni për rreth 50 milionë euro, u prezantua përkrah presidentit të Barcelonës, Joan Laportas.

Prezantimi i sulmuesit erdhi një ditë pasi skuadra e La Ligas filloi turneun e saj me katër ndeshje në SHBA me një fitore të thellë 6:0 ndaj Inter Miamit të David Beckhamit. Lewandowski 33-vjeçar, i cili la kampionin e Gjermanisë pas një mosmarrëveshjeje për kontratë të re, si dhe përplasjen me trajnerin Julian Nagelsmann për zgjedhjet taktike, mezi pret të fillojë aventurën e tij te Barça.

Lewandowski iu bashkua Bayernit në vitin 2014, duke shënuar 344 gola në 375 ndeshje zyrtare dhe theu rekordin për gola të shënuar brenda një sezoni në Bundesligë. Gjasat janë të mëdha që Lewandowski te debutojë me fanellën e Barcelonës këtë fundjavë në Las Vegas kundër rivalit më të madh, Real Madridit.

“Ne punuam shumë për të arritur në këtë moment. Unë jam gjithmonë i uritur për të pasur sukses dhe për të pasur mentalitetin fitues. Kjo është një sfidë e re për mua dhe e kam parë tashmë se është një skuadër me potencial të madh. Ka shumë cilësi dhe unë dua të bëj më të mirën për klubin. Jam gati”, insistoi ai.

Lewandowski i bashkohet Barcelonës në mes të një krize financiare, por edhe pse klubi ka grumbulluar borxhe prej gati një miliardë eurosh, sulmuesi bëhet transferimi i katërt i verës i ekipit spanjoll pas transferimeve të mesfushorit Franck Kessie, mbrojtësit Andreas Christensen dhe sulmuesit të krahut, Raphina.

“Ne po bëjmë çmos për të ristrukturuar ekipit”, tha Laporta. “Kemi bërë shumë punë për ta realizuar këtë. Lewandowski është një yll futbolli dhe jam i lumtur që do ta kemi në ekip”.

Lewandowski ka firmosur kontratë katërvjeçare me Barcelonën dhe ka një klauzolë lirimi në vlerë prej 500 milionë eurosh.