Sport

Dështimi i Nigerisë për t’u kualifikuar do të ketë ndikim të madh në Botëror

Tifozët nigerianë të futbollit dhe pronarët e bizneseve në Katar janë ende të tronditur nga dështimi i përfaqësueses nigeriane për t'u kualifikuar në Kupën e Botës, e cila do të mbahet në vendin e Lindjes së Mesme nga 21 nëntori e deri më 18 dhjetor.

Dështimi i Nigerisë për të mposhtur Ganën në mars i pamundësoi asaj të kualifikohet në Katar, një rezultat që tronditi kombin, por gjithashtu i dha një goditje të madhe përafërsisht 12,000 nigerianëve në Katar. Ata mezi prisnin të shikonin ekipin në aksion dhe të përfitonin nga prania e Nigerisë në turne. Ekene Romeo, një biznesmen që ka jetuar në Katar për gati 12 vjet, tha se dështimi i Nigerisë për t'u kualifikuar ia theu zemrën dhe e goditi financiarisht.

“Kisha porositur 20,000 fanella të Nigerisë, të cilat e dija se do të ishin shumë të kërkuara. Po bëja gjithashtu plane për të organizuar javën e parë të argëtimit dhe modës nigeriane këtu në Katar gjatë Kupës së Botës”, tha Romeo. “Ngjarja do të kishte paraqitur disa nga artistët, komedianët dhe stilistët më të mirë afrikanë për të shfaqur dhe promovuar industritë nigeriane të argëtimit dhe modës”.

Romeo shtoi se për shkak të dështimit të ekipit për t'u kualifikuar, “porosia për fanellat u anulua dhe ngjarjet u pezulluan, ndërsa ne punojmë se si ta modifikojmë atë për t'u përshtatur me vendet e tjera afrikane të kualifikuara për turne”.

Nigeria ka qenë në gjashtë Kupa Botërore që nga paraqitja e saj e parë në SHBA në vitin 1994. Që atëherë Nigeria u kualifikua në të gjithë turnetë e Kupës së Botës, përveç Gjermania 2006. Sipas Bukola Aliu, sekretar i Shoqatës Kombëtare të Agjencive të Udhëtimit të Nigerisë (NANTA) në zonën e Lagosit, mungesa e ekipit nga Kupa e Botës ka ndikuar në shitjet dhe paketat e udhëtimit të vendosura që nga nëntori 2021.

“Shumë njerëz shprehën interes për ta vizituar Katarin”, tha Aliu. “Kërkesa është ulur sepse shumica e njerëzve nuk janë më të interesuar”.

Emmanuel Nwachukwu i agjencisë “BFD Global Travels” në Katar tha se biznesi i tij është prekur gjithashtu.

“Ne, si nigerianët e tjerë, jemi të zhgënjyer sepse strategjia jonë e biznesit ishte shumë e orientuar drejt vizitorëve nigerianë, por kërkesa për bileta nga Nigeria është jashtëzakonisht e ulët tani”, tha ai.

Ndërkohë, pronari i restorantit “Mama’s Place” në Katar, nigeriani Abo Chebib, ka shtuar: “Kupa e Botës ka të bëjë më shumë se vetëm me 32 skuadrat. Bëhet fjalë për turizmin, kulturën, ushqimin, investimet dhe kalimin e kohës së mirë. Nga të gjitha indikacionet, më pak nigerianë do të udhëtojnë në Katar, gjë që do të ketë ndikim në biznesin tonë, duke pasur parasysh se kemi kaluar shumë vjet duke u përgatitur për këtë turne”.

Në sektorin e muzikës dhe argëtimit të Katarit, Dj i njohur nigerian, Walex, tha se mungesa e ekipit ishte një tronditje e madhe sepse do t’ia mohon atij mundësinë për të organizuar festa dhe për të ftuar artistë nigerianë ta vizitojnë Katarin. Ndërsa muzika nigeriane është e njohur në Katar, Dj Walex beson se kishte potencialin për të arritur një nivel krejtësisht të ndryshëm me praninë e ekipit të tij.

“Një paraqitje në Kupën e Botës për Nigerinë do të kishte qenë magjike sepse do të kishte krijuar një atmosferë për të tërhequr artistët më të mirë nigerianë në Katar”, shtoi ai.

Edhe klubi i tifozëve është goditur rëndë. Samuel Ikpea, kryetar i klubit të tifozëve të Nigerisë, shprehu keqardhjen dhe e përshkroi implikimin e moskualifikimit të vendit për Kupën e Botës të madh, si në botën e biznesit, ashtu edhe në atë të sportit.

“Do të ishte një përvojë e paharrueshme. Kishim planifikuar të nisnim klubin e tifozëve në Doha një ditë para shortit të Kupës së Botës, por nuk ndodhi dhe të gjithë ishim të zhgënjyer”, deklaroi Ikpea.

Për Përfaqësuesen e Nigerisë humbjet janë shumë më të mëdha. Përveç një rënie në renditjen e FIFA-s, ka një humbje të konsiderueshme të të ardhurave për tani dhe në të ardhmen. Ekipi do të humbasë 12.5 milionë dollarë të FIFA-s pas dështimit për t'u kualifikuar. Sipas Amaju Pinnick, presidenti i Federatës së Futbollit të Nigerisë (NFF), skuadra do të kishte marrë 35 për qind (4.4 milionë dollarë) të ardhurave, që do të thotë se Federata dhe lojtarët jo vetëm që kanë humbur një shumë të konsiderueshme tani, por gjithashtu përballen me një humbje në të ardhura në sektorë të ndryshëm.