Nedim Bajrami ishte pa dyshim lojtari më i mirë i Empolit gjatë sezonit 2021/2022. Në vitin e tretë me fanellën e Empolit, të parin në Serie A, Bajrami pati një ndikim të madh në ekip. Nëntë golat dhe shtatë asistimet në 38 ndeshje e bëjnë Bajramin lojtarin më të mirë në klub. Kontributi i tij nuk përfundoi me golat dhe asistimet. Ai mori pjesë edhe në 16 gola tjerë të shënuar në sezonin e fundit. Ndikimi i mesfushorit shqiptar nuk kaloi pa u vënë re nga klubet në Itali.
Ndër klubet më të interesuara janë Fiorentina, Milani, Lazio, Napoli, Sassuolo dhe Roma. Por, interesimi për të ka kaluar edhe kufijtë e Italisë. Së fundi, në adresë të klubit italian ka paraqitur ofertë edhe klubi i Bundesligës, Hertha Berlin. Nuk ka munguar interesimi edhe nga klubet e Premier Leagues angleze.
“Emri i Nedim Bajramit ka zënë vend në listën e lojtarëve më të kërkuar në tregun e transferimeve. Është një emër për t’u marrë seriozisht në treg, i cili është pjesë e Empolit, por lëvizja e tij mund të ndodhë këtë verë. Fiorentina është duke negociuar me Empolin, ndërsa në garë ka hyrë edhe Hertha e Berlinit”, shkruan “firenzaviola.it”.
Bajrami 23-vjeçar ka pasur një ngritje të madhe. Në tregun e transferimeve mesfushori i Shqipërisë vlerësohet rreth 12 milionë euro. Te Empoli kanë thënë se do t’i shqyrtojnë të gjitha ofertat për Bajramin, që ka kontratë deri në qershor të vitit 2024. Empoli për Bajramin po kërkon të paktën dhjetë milionë euro. Bajrami është pjesë e Empolit prej vitit 2019. Ai u huazua te Grasshoppersi, ku edhe u zhvillua si futbollist, ndërsa në shtatorin e vitit të kaluar u kthye te Empoli.
Te skuadra italiane ka shkëlqyer. Ai shquhet për teknikën e mirë e po ashtu edhe për gjuajtjet nga distanca, që shpesh kanë përfunduar në rrjetë. Bajrami është vlerësuar shumë edhe në Shqipëri. Para se t’i bashkohej Shqipërisë, Bajrami luajti për ekipet zinxhirë të Zvicrës. Shqipërisë iu bashkua në shtator të këtij viti. Ka luajtur shtatë ndeshje. Vetë Bajrami nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit nga Empoli. Por, ai thotë se me të ardhmen e tij merret menaxheri.
“Jam i fokusuar maksimalisht me Empolin. 100 për qind jam i fokusuar për skuadrën dhe nuk e di për të ardhmen time. Me klubet është menaxheri që merret, ndërsa unë jam për ta dhënë më të mirën”, pati thënë më herët për KOHËN mesfushori shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
Vlerësim të lartë për Bajramin kanë edhe te Empoli. Presidenti i Empolit, Fabrizoi Corsi, pati parashikuar se Bajrami do të ketë karrierë të madhe.
“Sipas mendimit tim, Bajrami do të ketë një karrierë të shkëlqyer, vrapimi 50 metra ku e shënua goli ishte spektakël. Më erdhi keq për rezultatin, ne ishim të zhgënjyer”, është shprehur Corsi. “Nuk me habit që kaq shumë ekipe kanë shprehur interesim për të”.