Sport

10 policë të lënduar nga përleshjet me tifozët e Feyenoordit e Romës në Tiranë

Descriptive Text

Policia në Shqipëri ka njoftuar se 10 pjesëtarë të tyre kanë mbetur të lënduar nga përleshjet e mbrëmshme me tifozët e Feyenoordit dhe Romës në Tiranë, në prag të finales së Ligës së Konferencës.

Policia e Shtetit u përpoq të shmangte një përplasje mes dy tifozërive, por e pësoi vetë.

“Shërbimet e Policisë kanë tentuar t'i ndalojnë në rrugën "Mustafa Matohiti", ku tifozët e skuadrës Feyenoord, në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta. Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së DVP Tiranë ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj. Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, janë plagosur 10 punonjës Policie dhe është dëmtuar një automjet policie”, ka njoftuar Policia në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës.

Policia ka shoqëruar 60 persona në lidhje me incidenti, prej tyre 48 shtetas italianë dhe 12 holandezë.

Policia e Shtetit ka bërë thirrje për shmangien e veprimeve të dhunshme, “që nuk manifestojnë asnjë lidhje me sportin”.

Feyenoordi dhe Roma luajnë sonte finalen e Ligës së Konferencës në “Air Albania”, me fillim nga ora 21:00.