Trajneri i Prishtinës, Abdullah Ibrakoviq është shprehur i kënaqur me fitoren e ekipit të tij ndaj Gjilanit.
Prishtina triumfoi 2:1 në udhëtim te Gjilani të mërkurën, në kuadër të xhiros së 31-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Prishtina e fitoi këtë përballje me rikthim pasi ishte në disavantazh deri në fund të pjesës së parë.
“Ishte një ndeshje e vështirë në një kohë shumë të rëndë. Luajtëm ndaj Gjilanit që është ekip i fortë. Jemi përgatitur edhe taktikisht për këtë ndeshje dhe arritëm ta realizojmë atë gjatë ndeshjes. Me rëndësi është ekipi që tregoi moral duke dhënë gjithçka nga vetja në këtë kohë dhe ndeshje kaq të vështirë, unë vetëm i përgëzoj lojtarët. Dua të them vetëm një gjë, ne kurrë nuk kemi luajtur për të ikur nga barazhi dhe nuk do të luajmë as tash”, ka thënë Ibrakoviq.
Me këtë fitore, Prishtina ka tubuar 42 pikë dhe zë vendin e pestë.