Për sulmuesin e Atletico Madridit, Joao Felixin, ky edicion ka përfunduar. Portugezi të martën ka njoftuar në rrjetet sociale se lëndimi që e pësoi ndaj Espanyolit do ta lë jashtë fushe për pjesën e mbetur të sezonit. “Për fat të keq nuk e mora lajmin që dëshiroja.
Me pikëllim të thellë e gjej veten të paaftë për të ndihmuar ekipin tim për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Tani mund ta mbështes Atleticon vetëm nga jashtë dhe të punoj shumë në rikuperimin tim për t’u rikthyer më i fortë”, ka shkruar Felix.
22-vjeçari në duelin ndaj Espanyolit u zëvendësua në pjesën e dytë për shkak të dhimbjes në muskulin e këmbës. Ai këtë edicion ka shënuar dhjetë gola dhe ka asistuar gjashtë herë në 35 paraqitje për Atleticon, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2026.