Chelsea e fitoi Ligën e Kampionëve për herë të parë para dhjetë vjetësh, duke e mposhtur Bayern Munichun në finale.
Gjiganti i Premier Leagues, Chelsea, triumfoi në Champions më 19 maj 2012, pasi mposhti bavarezët në ekzekutimin e penalltive.
Legjenda e klubit, Didier Drogba, u kthye në hero te “blutë e Londrës” pasi barazoi shifrat në minutën e 88-të, për ta lënë me shpresë Chelsean.
Thomas Muller i kishte dhënë avantazhin Bayernit më herët, në minutën e 83-të.
Në vazhdime, Petr Cech ia mohoi Arjen Robbenit shënimin e golit nga penalltia, ndërsa në serinë e penalltive, Chelsea triumfoi 4:3.
Por, kush ishin lojtarët që luajtën për Chelsean në finalen historike dhe ku janë ata tani?
Petr Cech – Portier
Legjenda e klubit, Petr Cech, iu bashkua Chelseat nga Rennesi në vitin 2004 dhe i kaloi 11 edicione në klub. Në vitin 2015, ai e la skuadrën për t’iu bashkuar rivalit të qytetit, Arsenalit, ku i kaloi katër edicione. Cech u pensionua nga futbolli në vitin 2019.
Pas pensionimit, Cech u kthye te Chelsea si këshillues teknik.
Në tetor të vitit 2019, portieri po ashtu provoi të luante në hokejin mbi akull, duke iu bashkuar skuadrës së divizionit të dytë, Guildford Phoenix, si portier.
Jose Bosingwa – Mbrojtës i krahut të djathtë
Bosingwa luajti për Porton për pesë edicione dhe më pas iu bashkua Chelseat ku i kaloi katër vjet. Ai e fitoi dy herë Kupën FA dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2012 me Chelsean. E fitoi Ligën e Kampionëve edhe me Porton në vitin 2004.
Së fundmi ka luajtur për skuadrën elitare të Turqisë, Trabzonspor, në vitin 2016. Më pas u pensionua nga futbolli.
David Luiz – Qendërmbrojtës
Braziliani i mbrojtjes iu bashkua Chelseat në vitin 2011 nga Benfica dhe fillimisht i kaloi tri vjet në skuadër. Në vitin 2014 ai u transferua te PSG-ja dhe i kaloi dy edicione para se të rikthehej te “blutë” në verën e vitit 2016. Pasi i kaloi tri edicione në periudhën e dytë te Chelsea, David Luiz iu bashkua Arsenalit në vitin 2019. Në vitin 2021 ai iu bashkua skuadrës elitare braziliane, Flamengo, ku është duke luajtur aktualisht.
Gary Cahill – Qendërmbrojtës
Mbrojtësi anglez iu bashkua Chelseat nga Bolton Wanderersi në vitin 2012 dhe i kaloi shtatë edicione në skuadër. Në vitin 2019 ai u largua nga klubi dhe iu bashkua Crystal Palacet, për dy vjet. Në vitin 2021, Cahill u transferua te AFC Bournemouthi dhe ende është pjesë e ekipit.
Ashley Cole – Mbrojtës i krahut të majtë
Pasi erdhi nga sistemi i të rinjve të Arsenalit, Ashly Cole doli në ekipin senior në vitin 1999. Ai qëndroi te Arsenali deri në vitin 2006 dhe më pas iu bashkua Chelseat ku i kaloi tetë edicione të tjera.
Ai po ashtu luajti për Romën dhe LA Galaxyn. Kurse në vitin 2019, pasi i kaloi gjashtë muaj te Derby County, Cole njoftoi për pensionimin nga futbolli profesionist.
Pas pensionimit, Cole punoi si trajner në Akademinë e Derby Countyt dhe Chelseat. Në vitin 2021, ish-reprezentuesi i Anglisë u emërua ndihmës i përzgjedhësit Lee Carsley te Anglia U21.
John Obi Mikel – Mesfushor defensiv
Nigeriani i mesfushës luajti te Chelsea për 11 sezone, pasi iu bashkua skuadrës në vitin 2006. Pasi u largua nga “blutë” në vitin 2017, ai u transferua në Kinë te skuadra elitare, Tianjin TEDA. Më vonë luajti për Middlesbroughun dhe Stoke Cityn.
Në korrik të vitit 2021, John Obi Mikel iu bashkua Kuwaitit ku është duke luajtur aktualisht.
Frank Lampard – Mesfushor qendror
Mesfushori legjendar iu bashkua Chelseat në vitin 2001 nga West Ham Unitedi dhe qëndroi në klub për 13 sezone. Pasi u largua nga klubi në verën e vitit 2014, Lampardi nënshkroi kontratë dyvjeçare me skuadrën e MLS, New York City FC. Pasi sezoni i futbollit në SHBA nuk filloi deri në janar të vitit 2015, Lampardi iu bashkua Manchester Cityt për kohë të shkurtër, në fillim të edicionit 2014/15. Ai u pensionua nga futbolli në vitin 2016.
Pas pensionimit, Lampardi iu bashkua skuadrës së “Championshipit”, Derby County, si trajner në vitin 2018. Në vitin 2019 u kthye te Chelsea si trajner. Në janar të vitit 2021, Lampardi i ndau rrugët me “blutë”, ndërsa Thomas Tuchel e zëvendësoi në krye të skuadrës. Në janar të vitit 2022 ai u kthye në Premier League si trajner i Evertonit.
Salomon Kalou –Mesfushor i krahut të djathtë
Ish-reprezentuesi i Bregut të Fildishtë, Salomon Kalou, iu bashkua Chelseat nga Feyenoordi në vitin 2006 dhe i kaloi gjashtë vjet në këtë klub. Më vonë luajti për skuadra si Lille, Hertha BSC dhe Botafogo, para se të pensionohej nga futbolli në prill të vitit 2021.
Juan Mata – Mesfushor ofanziv
Mesfushori spanjoll u transferua te Chelsea në vitin 2011 nga Valencia dhe i kaloi dy edicione e gjysmë në skuadër. Ai u shit te Manchester Unitedi në janar të vitit 2014 ku ende luan. Në korrik të vitit 2021, Mata nënshkroi kontratë njëvjeçare me “djajtë e kuq”.
Ryan Bertrand – Mesfushor i krahut të majtë
Produkt i Akademisë së Chelseat, Bertrand, iu bashkua ekipit senior në vitin 2006, por nuk debutoi për skuadrën deri në vitin 2011. Në mes këtyre viteve ai luajti për skuadra si Bournemouth, Norwich City dhe Oldham Athletic, si i huazuar. Ai u largua nga Chelsea në vitin 2015 për t’iu bashkuar Southamptonit, ku i kaloi gjashtë sezonet e radhës. Në vitin 2021, ai nënshkroi për Leicester Cityn për dy vjet.
Didier Drogba – Sulmues
Një tjetër legjendë e Chelseat, Didier Drogba, iu bashkua skuadrës në vitin 2004 nga Marseille dhe luajti deri në vitin 2012. Pas kësaj aventure ai iu bashkua Shanghai Shenhuas në Superligën e Kinës, para se të transferohej te gjiganti turk, Galatasaray. Në vitin 2014, Drogba u kthye te Chelsea dhe luajti për një kampionati.
Së fundmi kishte luajtur për Phoenix Rising, skuadrën e rangut të dytë të futbollit të Amerikës, ndërsa u pensionua në vitin 2018.
Si zëvendësues në atë ndeshje historike kanë luajtur edhe Fernando Torres e Florent Malouda.