9 perditesime
17:59

Gjilani dënon incidentin, i kërkon falje publike Ballkanit dhe fajëson Policinë

Klubi i futbollit Gjilani ka dalë me komunikatë për incidentin që ndodhi në ndeshje me Ballkanin. Gjilani ishte nikoqir, ndërsa ka dënuar ashpër incidentin.

Klubi gjilanas ka shkruar se ka ndërmarrë të gjitha masat për të garantuar siguri.

“Sport Club Gjilani dënon ashpër incidentin e ndodhur në duelin e xhiros XXVII në BKT Superligë ndaj skuadrës së Ballkanit. Si klub nikoqir i kësaj ndeshje kishim ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, ndër të tjerash kishim siguruar edhe qëndrimin e tifozëve mysafirë. Për planin operacional të sigurisë dhe organizimit të ndeshjes janë njoftuar para ndeshjes personat zyrtar nga Federata e Futbollit e Kosovës, si dhe vet klubi mysafir”, thuhet në komunikatën e Gjilanit.

Madje Gjilani për incidentin e fajëson Policinë e Kosovës. Sipas klubit, reagimi i policisë ishte i dobtë.

Portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri është sulmuar nga dy huliganë në fushën e lojës.

“Si rrjedhojë e reagimit të dobët nga Policia e Kosovës erdhi edhe incidenti, me ç'rast u lëndua futbollisti Stivi Frashëri, të cilit i urojmë shërim të shpejtë në rend të parë dhe ndjesë për këtë ngjarje, e cila vetëm Sport Club Gjilanit nuk guxon t’i ndodh. Gjithashtu, Klubit Futbollistik ‘Ballkani’ i kërkojmë ndjesë publike dhe i garantojmë gjithashtu që ky akt i shëmtuar nuk do t'i dëmtojë asnjëherë raportet e klubeve mes vete. Zyrtarët përgjegjës për siguri dhe organizimin e ndeshjes kanë evidentuar vërejtjet pas përfundimit të ndeshjes dhe po punojnë në identifikimin e personave të cilët kryen këtë akt vandal, për t’u ndaluar përjetësisht hyrjen në ndeshjet e organizuara nga Sport Club Gjilani. Sport Club Gjilani shpreh keqardhje për gjithë atë se çfarë ka ndodhur dhe do të përkujdeset me përgjegjësinë më të lartë që ky të jetë incidenti i fundit, në ndeshjet të cilat organizohen nga klubi”, thuhet në komunikatën e Gjilanit.

17:55

Kryetari i Gjilanit shpreh keqardhje për incidentin

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka shprehur keqardhje për incidentin e rëndë në ndeshjen mes Gjilanit dhe Ballkanit. Portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri mbeti pa ndjenja pas sulmit nga dy huliganë në fushën e lojës.

Njëri e rrëzoi në fushë e tjetri e shkelmoi.

“Në Gjilan po zhvillohej sot njëra prej ndeshjeve më të mira të sezonit në futbollin tonë. Gjilani përballë Ballkanit të Suharekës në ndeshjen përcaktuese për titull. Gjithçka shkoi për së mbari deri në momentin kur filloi përleshja ne fushë, për më keq u sulmua edhe portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri. Shpreh keqardhjen time për këtë që ndodhi sot në Gjilan dhe Frashërit i uroj shërim të shpejtë. Skena të tilla nuk duhet të shohim askund, aq më tepër në sport”, ka shkruar Alban Hyseni në një postim në Facebook.

17:21

Ende nuk ka të arrestuar për incidentin e rëndë në Gjilan

Ende nuk ka të arrestuar për incidentin e rëndë që ndodhi të dielën në stadiumin e qytetit në Gjilan. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë të dielën për KOHËN se nuk ka ende të arrestuar asnjë person për sulmin e rëndë fizik ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri.

Gjendja e portierit të Ballkanit është stabile pas sulmit të rëndë fizik ndaj tij. Por ai u dërgua pa vetëdije në Spitalin e Gjilanit. Një huligan, që i erdhi nga prapa, shtyu dhe e rrëzoi portierin e Ballkanit. Ndërkohë një tjetër e shkelmoi derisa Frashëri ishte në tokë.

“Është hapur si rast lëndim trupor, pasi janë futur në fushë tifozët e ekipit nikoqir. Portieri është dërguar me lëndime të lehta trupore në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Policia po punon në identifikimin e personave që kanë sulmuar portierin. Policia e Kosovës ka në posedim disa incizime gjatë sulmit e po ashtu ka pasur edhe shumë dëshmitarë në momentin kur incidenti ka ndodhur”, ka thënë Hashani për KOHËN.

Ndeshja është suspenduar kur rezultati ishte 1:1. Në fakt, incidenti ndodhi pas barazimit të rezultatit nga futbollistët e Gjilanit, përkatësisht portierit Enea Koliqi.

16:59

Gjilani njofton për ndërprerjen e ndeshjes, nuk dënon incidentin e rëndë

Klubi i futbollit Gjilani ka njoftuar për ndërprerjen e ndeshjes me Ballkanin. Por në njoftimin e shkurtër nuk ka ndonjë fjalë për incidentin e rëndë.

Ndeshja u ndërpre pasi dy huliganë realizuan sulm të rëndë fizik ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri, derisa Gjilani po festonte pas golit të barazimit në kohën shtesë.

“Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit është ndërprerë me vendim final të gjyqtarit Genc Nuza, në minutat shtesë të takimit (1:1). Klubi pret vendimin përfundimtar nga Komisioni i Garave”, thuhet në njoftimin e shkurtër.

15:53

Frashëri kapet për fyti dhe shkelmohet

Transmetuesi i ndeshjes, Art Motion, ka publikuar pamje nga incidenti që solli ndërprerjen e ndeshjes mes Gjilanit dhe Ballkanit.

Pas barazimit të rezultatit nga Gjilani, shikuesit gjilanas hynë në fushë për të festuar.

Por një huligan, që i erdhi nga prapa, kapi për fyti dhe e rrëzoi portierin e Ballkanit Stivi Frashëri. Ndërkohë një tjetër e shkelmoi derisa Frashëri ishte në tokë.

 

Eshte nderprere ndeshja pasi tifozet e Gjilanit e sulmojne Portierin tone Stivi Frasheri

Posted by FC Ballkani on Sunday, April 3, 2022

 

15:46

Largohen edhe lojtarët e Gjilanit nga fusha

Pas lojtarëve të Ballkanit edhe ata të Gjilanit janë larguar nga fusha në stadiumin e qytetit në Gjilan. Gjilani barazoi në minutën e 95-të, ndërsa më pas u krijua një tollovi ku shikuesit u futën në fushë, përkatësisht afër portës së Ballkanit.

I shtrirë mbeti portieri i Ballkanit Stivi Frashëri, të cilit i është dhënë ndihma mjekësore dhe është larguar me autoambulancë. Është parë edhe një mjet shpërthyes pranë portës së Ballkanit.

Stadiumi në Gjilan ka kohë që është duke u rinovuar dhe ka dyshime nëse ai i plotëson kushtet e sigurisë për një lojë të Superligës. Ndër të tjera rrethoja nuk është në gjithë tribunën dhe hyrja e shikuesve në fushë është fare e lehtë.

15:38

Autoambulanca në fushë, Frashërit po i jepet ndihma mjekësore

Autoambulanca është futur në fushën e stadiumit në Gjilan.

Ndërkohë portierit të Ballkanit, Steve Frashëri po i jepet ndihma mjekësore.

15:34

Portieri Koliqi barazon rezultatin në derbi, tollovi në fushë

Portieri i Gjilanit, Enea Koliqi ka barazuar në 1:1 rezultatin në ndeshjen derbi ndaj Ballkanit. Koliqi ka shënuar me goditje me kokë në minutën e 95-të. Ai shënoi pas një goditje nga këndi. Por ndeshja është ndërprerë për shkak të hyrjes së shikuesve në fushë dhe tollovisë së krijuar.

Portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri, ka mbetur i shtrirë në fushë.

Ndeshja po luhet në stadiumin në Gjilan, që është më shumë kantier ndërtimi. Nuk ka rrethojë, ndër të tjera, dhe tifozët lehtë kanë depërtuar te porta e Ballkanit.

14:27

Ballkani në epërsi pas pjesës së parë

Goli i shënuar që në minutën e parë ishte i vetmi i shënuar në pjesën e parë të takimit mes Gjilanit dhe Ballkanit.

Ballkani ka shkuar në pushim me epërsinë prej 1:0.

Ermal Krasniqi ka shënuar pas 30 sekondave lojë. Ai shënoi gol të bukur me goditje me kokë.

13:40

Ballkani në epërsi që në minutën e parë

Ballkani ka shokuar Gjilanin në derbin e xhiros së 27-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Ballkani ka kaluar në epërsi që në minutën e parë të ndeshjes në Gjilan.

Ermal Krasniqi ka shënuar gol të bukur me kokë pas vetëm 30 sekondave lojë.