Sport

Të akuzuarit për vepra penale nuk do të jenë pjesë e federatave të licencuara sportive

Asnjë federatë sportive në Kosovë nuk do të licencohet apo rilicencohet këtë vit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nëse në udhëheqje ka persona të akuzuar për vepra penale.

Kështu parasheh Udhëzimi Administrativ për kushtet, kriteret dhe procedurat e themelimit dhe licencimit të federatave dhe organizatave sportive të Kosovës. Ky dokument është në konsultim paraprak, ndërsa pas 15 ditësh do të dalë edhe në konsultim publik. Edhe procedura e konsultimit publik do të zgjatë 15 ditë. Pra, Udhëzimi pritet të hyjë në fuqi pas më shumë se një muaji.

KOHA ka siguruar një kopje të Udhëzimit Administrativ që nuk pritet të ndryshojë në përmbajtje.

Federatat sportive aktualisht janë pa licenca, është thënë nga Departamenti i Sportit në MKRS. 2022 është vit i licencimit dhe i rilicencimit të federatave sportive. Procesi është vendosur të përfundojë deri në mbarim të këtij viti.

“Me këtë udhëzim administrativ rregullohet edhe procedura e veçantë e rivlerësimit të licencimit, pezullimit apo revokimit të parakohshëm të licencës, si dhe e drejta në ushtrimin e mjeteve juridike në rastet e parashikuara me këtë udhëzim administrativ”, shkruan në pikën 2 të nenit 1 të dokumentit.

Në fakt, ka disa ndryshime te kriteret për licencim dhe rilicencim të federatave, në krahasim me Udhëzimin e vitit 2015 që është ende në fuqi.

Rilicencimi bëhet maksimalisht për 4 vjet, varësisht nga cikli olimpik.

Në një pikë të Udhëzimit thuhet se “asnjë federatë nuk do të themelohet dhe as licencohet apo rilicencohet në rastet kur në organet drejtuese të tyre përgjegjësitë i ushtrojnë personat e dënuar me vendim të formës së prerë prej më shumë se tre muaj burg”.

Një pikë tjetër është më e qartë.

“Ndalesa e njëjtë sikurse në paragrafin gjashtë (6) do të zbatohet në rastet kur federatat sportive në organet e tyre drejtuese të përcaktuara me statut, lejojnë që përgjegjësitë drejtuese t’i ushtrojnë personat e akuzuar për vepra penale të dënueshme prej së paku një vjet burg. Personat e akuzuar për vepra penale, sikurse në këtë paragraf, duhet të pezullojnë aktivitetin e tyre deri në përfundimin e procedurës penale ndaj tyre”, thuhet në pikën 7 të nenit 6 të Udhëzimi.

KOHA ka kontaktuar disa përgjegjës në MKRS për të marr mendim për Udhëzimin, por askush nuk ka pranuar të flasë.

Në të kaluarën ka pasur raste kur drejtues të federatave kanë pasur probleme me ligjin. Madje edhe janë dënuar. Por ata kanë mbajtur pozitat e tyre. Më së shumti bujë ka bërë rasti i kryetarit të FFK-së, Agim Ademi.