Sport

Paqartësi të shumta për objektin që tashmë duhej të ishte pishinë

E bukur duket “Pishina Olimpike” në Prizren. Natyrisht, në projekt.

Objekti që tashmë është dashur të jetë pishinë olimpike, dallon shumë nga ai i paraqitur në projekt. Pishina është dashur të jetë gati vitin e kaluar, por ka kohë që punët janë pezulluar. Dhe ndërtimi i pishinës nuk është as afër. I ndërtuar është vetëm skeleti i objektit.

Se kur do të hapet pishina nuk dihet. Madje nuk dihet nëse do të hapet.

Pak gjëra kishin ndryshuar në skeletin e objektit prej kur KOHA pati raportuar për ngecjen e punimeve, në dhjetor të vitit 2020.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është financuesja kryesore e ndërtimit të pishinës, që është vlerësuar se kushton 2.5 milionë euro. Komuna e Prizrenit është hartuese dhe menaxhuese e projektit.

Punimet në ndërtimin e kësaj pishine kanë filluar me një solemnitet më 20 korrik të vitit 2019, me vendosjen e gurthemelit nga ministri i atëhershëm i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, dhe ish-kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Gashi tani mban postin e nënkryetarit të Komunës së Prizrenit, ndërsa drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prizrenit, Adem Morina, thotë se janë duke parë mundësinë e rinisjes së punimeve në objekt.

“Kemi biseduar me operatorët, por është çështje problematike pishina. Sipas tyre, Federata e Notit e Kosovës ka ndërprerë punimet për arsye, sipas tyre, teknike. Thonë se nuk është sipas standardeve, që thellësia është më e madhe sesa duhet të jetë me parametra. Në bashkëbisedim me operatorin ai thotë se nuk kemi ndonjë vendim nga MKRS-ja për ndërprerjen e punimeve, mirëpo e kanë vetëm si vendim gojor nga ish-drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunë, Emilija Rexhepi. Duhet besoj të hulumtohet si rast ku në ditët në vazhdim do të kemi një takim me MKRS-në për të parë se ku ka mbetur situata”, ka thënë Morina për KOHËN.

Ai thotë se nuk e di se ku është problemi, por thekson se për vitin 2022 nuk është paraparë të ndahet asnjë cent për pishinën në Prizren.

“Për këtë vit, pra 2022, nuk është paraparë asnjë cent nga Drejtoria e kulturës apo Ministria si fond shtesë për të vazhduar punimet e këtij projekti. Kështu që pa marrë informacionin e saktë se ku është problematika, nuk besoj se duhet të japim ndonjë informacion tjetër sepse mund të gabohem pa ndonjë qëllim, pasi qytetarët janë në pritje dhe ne nuk mund t’u japim shpresë nëse nuk kemi informacione të sakta se a do të përfundojnë apo jo punët”, ka deklaruar Morina.

Haliti: Sugjerimet tona nuk janë marrë për bazë

Krerët e Federatës së Notit në maj të vitit 2019 kanë dhënë sugjerime, por që nuk janë marrë për bazë nga komuna.

Kryetari i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Halitit, ka thënë se mund të jetë pishinë me dimensione olimpike, por pa ulëse dhe pa të gjitha objektet përcjellëse nuk mund të quhet olimpike. Ai ka theksuar se pishina e planifikuar me thellësi prej tri metrash do të ishte problem për mirëmbajtje dhe nuk mund të shfrytëzohet edhe gjatë stinës së dimrit.

“Sugjerimet që i kemi dhënë në atë kohë, siç duket, nuk janë marrë për bazë për shkak se ne kemi vërejtur që pishina ka thellësi tri metra, që është thellësi e madhe dhe kemi sugjeruar se në bazë të rregullave të Federatës botërore ajo të zvogëlohet në 2 metra për të zhvilluar të gjitha sportet ujore. Porse të njëjtit kanë vazhduar punimet me tri metra thellësi”, ka theksuar Haliti.

I pari i notit kosovar ka shtuar se në thellësi prej 3 metrash nuk mund të mësohet not.

Ai shpreson që si qeverisja e re lokale, ashtu edhe ajo qendrore të merren seriozisht me çështjen e pishinës.

Përveç pjesës së ku është uji, lartësisë, që mund të korrigjohet, pjesa tjetër organizative e objektit duhet të ketë një rregullim që është në pajtim me rregullat e FINA-s. Duhen ndryshime të mëdha në aspektin funksional që objekti të arrijë standardin që të pranohet si pishinë olimpike nga FINA dhe LEN-i.

“Ne shpresojmë që tash do të rishikohet projekti, do të intervenohet aty ku mund të intervenohet në një pishinë që thuajse është gati në përfundim, të paktën korita është e përfunduar e po ashtu një pjesë e shtyllave rreth pishinës është përfunduar, zhveshtoret dhe gjërat e tjera përcjellëse”, ka thënë Haliti.

Mst: Shatri: Ky projekt ka pasur mangësi para dhe gjatë realizimit

Është thënë më herët se projekti për ndërtimin e pishinës është hartuar pa u pyetur MKRS-ja dhe FNK-ja dhe se përgjegjëse për dështimin është Komuna e Prizrenit.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Sportit, Fikret Shatri, thotë se kontrata ka skaduar në vitin 2021 dhe se ka pasur mangësi para dhe gjatë realizimit të punëve.

Në nëntorin e vitit të 2019 pesë organizata të shoqërisë civile kanë përpiluar një raport për gjetjet që janë hasur në procesin tenderues të projektit “Ndërtimi i Pishinës Olimpike” në Prizren. E kanë cilësuar si “Pishina e Parregullsive”.

Është konstatuar se Komuna e Prizrenit ka bërë disa shkelje procedurale gjatë nënshkrimit të kontratës, por edhe në menaxhimin e saj, pasi që ajo ka udhëhequr me procedurat e prokurimit. Grupi monitorues ka gjetur shkelje në fazën e parë të prokurimit, në procesin e vlerësimit të ofertave, por edhe në menaxhimin e kontratës.

“Ndërtimi i Pishinës Olimpike në Prizren është projekt i hartuar, iniciuar dhe tenderuar nga Komuna e Prizrenit, e cila është edhe lidhëse e kontratës. Kontrata është lidhur në vitin 2018 me afat 36 muaj nga dita e fillimit te realizimit të këtij projekti me periudhë garantuese pas realizimit të punimeve dy vjet. Kontrata ka skaduar në vitin 2021 dhe Komuna e Prizrenit si lidhëse e kontratës duhet ta amandamentoj këtë kontratë. Nga Federata e Notit dhe KOK-u kanë ardhur disa rekomandime të cilat duhet të merren parasysh me rastin e amandamentimit të kontratës. MKRS ka pasur memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prizrenit, që do të thotë ishte financuese e projektit. Ju informoj se ky projekt ka pasur mangësi para dhe gjatë realizimit të tijë”, ka thënë për KOHËN të enjten Fikret Shatri.

Në Kosovë vazhdimisht ka telashe me ndërtimin e objekteve sportive. Në infrastrukturë sportive investohen miliona euro, por pak punë kryhen si duhet. Kontrollimi i punimeve dhe mirëmbajtja e objekteve janë prej telasheve të mëdha. Pishina e mbetur në gjysmë në Prizren e dëshmon këtë.