Te Golden Eagle Ylli po e konsiderojnë të fituar ndeshjen ndaj Teutës së Durrësit në kuadër të Ligës Unike përkundër që nuk u zhvillua. Kjo ndeshje që i takoi xhiros së dhjetë ishte e paraparë të luhej sot në palestrën “13 Qershori” në Suharekë por nuk u luajt sepse vetëm basketbollistët e Yllit ishin në parket. Skuadra e Teutës nuk u paraqit fare për këtë ndeshje që tashmë të Ylli po e konsiderojnë të fituar me rezultatin zyrtar 20:0. Në fakt, Teuta nuk udhëtoi fare për në Suharekë për shkak se nuk i kishte të gjithë basketbollistët e vaksinuar me dozën e tretë, e që është kusht për të hyrë në Kosovë bazuar në masat anti-Covid që janë në fuqi nga data 22 janar. Në Ligën Unike, thonë se Teuta i ka njoftuar për këtë dhe kjo është arsyeja që nuk ka udhëtuar derisa te Ylli këtë informatë e kanë marrë vetëm pasi e kanë kuptuar se ndeshja nuk do të luhet.
“Teuta nuk ka udhëtuar për shkak se nuk i ka të gjithë lojtarët e vaksinuar me tri doza dhe kjo është arsyeja që ndeshja me Yllin nuk është luajtur. Megjithatë, ka ndodhur një mosmarrëveshje dhe për shkak të kësaj situate të krijuar nuk është njoftuar Ylli më herët. Megjithatë, ndeshja do të luhet në një orar tjetër dhe për këtë vendimi do të merret të premten”, ka thënë Elvira Dushku, anëtare e Bordit të Ligës Unike.
Edhe te Ylli kanë konfirmuar se për shkak të vaksinave skuadra e Teutës nuk ka udhëtuar. Megjithatë, në klubin nga Suhareka insistojnë se ata i kishin bërë të gjitha përgatitjet për ta luajtur këtë ndeshje. Lojtarët ishin dalë në parket dhe po ashtu ishin të pranishëm edhe arbitrat dhe pas pritjes me rregullore janë larguar nga palestra pa e zhvilluar ndeshjen. Drejtori i Yllit, Agron Berisha ka insistuar se këtë ndeshje e ka fituar ekipi i tij me rezultatin 20:0.
“Ne ishim gati, dolëm në parket por ekipi kundërshtar nuk u paraqit. Ne tashmë e kemi fituar këtë ndeshje sepse askush nuk na kishte lajmëruar më herët asgjë. Ne nuk mund ta luajmë këtë ndeshje në një orar tjetër për shkak se e kemi tani orarin e ngjeshur dhe duhet të mendojmë për Kupën e Kosovës dhe duelet tjera që na presin. Nuk mund t’i përshtatemi secilit ekip”, është shprehur Berisha.
Ylli aktualisht, zë vendin e dytë në Ligën Unike me 17 pikë të mbledhura, sa i ka edhe Peja që prinë por me një ndeshje më shumë të zhvilluar. Humbjen e vetme këtë edicion në Ligën Unike, Ylli e ka pikërisht nga Teuta, e cila e pati mposhtur në Durrës me rezultatin 78:72 në kuadër të xhiros së tretë. Ndërkohë, të enjten, Peja ka regjistruar fitoren e shtatë karshi tri humbje në Ligën Unike pasi ka triumfuar në udhëtim te Kamza me rezultatin 113:76.