Sport

Volejbolli para futbollit, publikohet kategorizimi i sporteve për vitin 2022

Komiteti Olimpik i Kosovës të premten ka publikuar rezultatet e kategorizimit të sporteve për vitin 2022. Kategorizimin e ka bërë një komision pesë-anëtarësh i KOK-ut.

Federata më e ranguar është ajo e xhudos me 83.35 pikë, por Bordi Ekzekutiv i KOK-ut ka rekomanduar që të vlerësohet me pikë maksimale, 100. Ndërkohë bie në sy ngritja e volejbollit në vendin e dytë. Madje volejbolli është para futbollit, sportit më masiv në vend. Federata e Volejbollit është vlerësuar me 79.56 pikë, ndërsa pas saj është Federata e Karatesë së Kosovës me 78.501 pikë.

Pasojnë Federata e Hendbollit me 78.093 pikë, Federata e Basketbollit me 78.05 pikë dhe vetëm më pas vjen Federata e Futbollit me 76.62 pikë. Janë këto federatat e kategorisë A. Në kategorinë B e para është Federata e Boksit e Kosovës me 65.16 pikë. Pasojnë Federata e Mundjes, Sportit Shkollor, Atletikës, Skitarisë e disa të tjera.

Për kategorizimin merren për bazë disa faktorë. Dhe kategorizimi përcakton se sa do të përkrahen financiarisht federatat nga shteti, ndonëse në vitin e kaluar përkrahja nuk është bazuar vetëm në kategorizim.

Pritet të ketë reagime të federatave lidhur me kategorizimin e publikuar të premten nga KOK-u.