Sport

Ekipi olimpik i Kosovës pranon rezultatet e testeve për COVID-19

Ekipi olimpik i Kosovës në skitari, ka pranuar rezultatet e testeve për koroanvirus. Përzgjedhësi i Kosovës, Agim Pupovci ka thënë të mërkurën për KOHËN se ai dhe dy skitarët pjesëmarrës në Lojërat Olimpik Dimërore në Pekin kanë pranuar rezultat negativ në testet e bëra të mërkurën. Pjesëmarrës në Pekin janë dy skitarët, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu.

Për Tahirin është hera e dytë që përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpik Dimërore. Herën e parë ishte në “Pyeongchang 2018” të Koresë së Jugut. Lojërat Olimpike Dimërore nisin më 4 dhe përfundojnë më 20 shkurt.

“Jemi të gjithë negativ. Mua dhe Kiana Kryeziut na erdhën para gjysmë ore rezultatet, ndërsa negativ është edhe Albin Tahiri. Ky test ka qenë me rëndësi dhe tani besojmë se do të dalim edhe në testet tjera. Do të testohemi edhe nesër e po ashtu edhe të premten. Edhe në Pekin si të arrijmë në aeroport do të testohemi, pastaj edhe në Fshatin Olimpik do të kemi teste të përditshme”, ka thënë Pupovci për KOHËN.

Ekipi olimpik drejt Pekinit do të niset të shtunën, ndërsa të premten do t’u dorëzohet flamuri i Kosovës nga presidentja, Vjosa Osmani.