Argtim Ismaili të dielën e ka operuar për herë të dytë dorën e majtë, të cilën e theu në ndeshjen miqësore kundër Zuerichut, të shtunën.
Në të njëjtin vend, futbollisti i Wilit e pati lënduar dorën edhe në shtatorin e vitit të kaluar, në një ndeshje ndaj Kriensit.
“Kisha vetëm një muaj që u ktheva nga operimi i dorës së njëjtë. Më është përsëritur lëndimi i njëjtë për fat të keq”, tregoi Ismaili të hënën për KOHËN.
Lëndimet e dorës nuk janë të vetmet për mesfushorin 22-vjeçar. Ai në vitin 2020 pati lënduar ijën, që po ashtu e operoi.
“Para se ta thyeja krahun, në vitin 2020 pata operuar ijën. Krahun për herë të parë e lëndova menjëherë pasi u ktheva, pra në lojën e dytë pas rikthimit. Tani sërish e lëndova krahun, një javë para se të nisë stinori pranveror”, ka thënë Ismaili.
Afër Ismailit, kur mesfushori ra përtokë pas 20 minutash lojë, ishte lojtari i Zuerichut, Blerim Xhemaili.
“Nuk ishte faji i Blerimit. Ai më ka telefonuar dhe më ka pyetur se a është gjithçka në rregull. Nuk e di se sa do të zgjatë pushimi, ndoshta njëjtë si herën e parë. Por unë do të punoj fort për t’u kthyer edhe më i fortë. Nuk jam dorëzuar edhe në të kaluarën dhe nuk do të dorëzohem as tani. Do të punoj maksimalisht me vullnetin më të madh”, është shprehur Ismaili, i lindur në St. Gallen të Zvicrës.
Ai thotë se nuk do ta ndalin lëndimet. Insiston se do të kthehet më i fortë. Ismaili ka synime të luajë në elitën e Zvicrës dhe ta përfaqësojë Kosovën. Wili luan në kategorinë e dytë.
“Nuk do të dorëzohem asnjëherë derisa të arrij objektivat e mia. Së pari kam synim të kaloj në Superligë të Zvicrës. Po të mos ishin këto lëndime tashmë do të ishte realitet paraqitja në Superligë. Dhe sigurisht se synim kam të arrij ta përfaqësoj edhe vendin tonë, Kosovën. Prindërit i kam nga Kumanova dhe Presheva, por kam të familjes në Kosovë, të cilët i vizitoj shpesh. Nuk kam pasur thirrje direkte nga drejtuesit e Përfaqësueses, por besoj se jam përcjellë nga Përfaqësuesja dhe më njohin si lojtar. Do të ishte kënaqësi e privilegj për mua ta përfaqësoja Kosovën. Para disa javësh kam biseduar me Muharrem Sahitin në një ndeshje në Preshevë”, ka thënë mesfushori qendror.