Sport

Rangnick ka zbuluar lojtarët që po i shkaktojnë probleme tek Unitedi, i nxjerr në shitje

Trajneri i përkohshëm i Manchester Unitedit, gjermani Ralf Rangnick, ka zbuluar futbollistët që po i shkaktojnë probleme dhe po ia prishin atmosferën në zhveshtore, të cilët automatikisht ka vendosur t’i nxjerrë në shitje.

Madje Rangnick ka urdhëruar krerët e klubit që brenda këtij muaji t’i largojnë ata lojtarë. Tekniku gjerman ka thënë që disa lojtarë vetëm po i nxjerrin telashe.

Mësohet se futbollistët që do të shiten gjatë këtij afati kalimtar janë sulmuesit Edinson Cavani e Anothony Martial, si dhe mesfushori Paul Pogba.

Sipas Rangnickut, kjo treshe ka ndikim të madh në zhveshtoren e Unitedit dhe po e prishin atmosferën në klub, gjë që po i kushton në fushë trajnerit gjerman. Kështu të paktën ka shkruar gazeta angleze “Mirror”.

“Ralf Rangnick ka njoftuar krerët e klubit se Cavani, Pogba dhe Martial duhet të largohen urgjentisht gjatë këtij muaji. Ai ka zbuluar se këta tre futbollistë po i shkaktojnë telashe brenda klubit dhe pakënaqësi për shkak të ndikimit që e kanë në zhveshtore. Kështu që Rangnick është i bindur se largimi i tyre do të jetë në dobi të klubit”, ka thënë një burim i afërt me Rangnickun, shkruan “Daily Mirror”. “Rangnick e ka kuptuar se vetëm largimi i tyre mund ta kthejë atmosferën në skuadër, që kohët e fundit nuk është aspak e mirë”.

Martial ka kohë që ka kërkuar largimin nga Unitedi për shkak të minutazhës së vogël që ka pasur. Edhe Rangnick pothuajse e ka konfirmuar një gjë të tillë kur e la Martialin jashtë ekipit në barazimin 2:2 ndaj Aston Villas. Madje Rangnick tha se Martial kishte refuzuar të luante në këtë takim. Tek Unitedi ishin të gatshëm ta huazonin Martialin deri në fund të këtij edicioni por pas kërkesës së trajnerit Rangnick klubi tashmë ia ka caktuar çmimin dhe është i gatshëm ta lërë të lirë për 30 milionë euro, përkundër që francezi ka kontratë deri në vitin 2024 me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.

Për dallim prej Martialit, sulmuesi tjetër, uruguaiani Cavani, është bërë i tepërt me kërkesat e tij për më shumë hapësirë qëkur ka ardhur në krye të ekipit Rangnick. Ky i fundit fillimisht ishte kundër largimit të Cavanit, por pakënaqësia e sulmuesit po ndikon edhe te futbollistët e tjerë që pastaj po revoltohen kur nuk po aktivizohen apo zëvendësohen gjatë ndonjë ndeshjeje.

Mesfushori Pogba ka kohë që është i lënduar, por refuzimi i tij për rinovimin e kontratës dhe kërkesa për t’u bërë futbollisti më i paguar në klub po kanë efekt negativ në ekip. Për këtë arsye Rangnick ka kërkuar nga klubi që ta tërheqin ofertën për rinovimin e kontratës me francezin, të cilin ka kohë që po e kërkojnë Real Madridi, Paris Saint-Germaini dhe Juventusi.

“Rangnick po synon të ketë atmosferë të mirë në klub dhe të luftojë për një pozitë që dërgon në Champions sezonin tjetër. E për ta bërë këtë ai deri në fund të këtij afati kalimtar pritet të bëjë një spastrim brenda ekipit”, ka shtuar burimi.

Në afatin kalimtar të janarit do të largohen edhe Jesse Lindgard e Donny van de Beek. Lindgard do të largohet për shkak se ka refuzuar rinovimin e kontratës, kurse holandezi Van de Beek për shkak se nuk është i kënaqur me minutazhën që ka pasur në dispozicion.

Rangnick është i vendosur që deri në fund të edicionit të jetë në top-katërshe. Kjo është edhe kërkesë e krerëve të klubit të cilët duan patjetër të paraqiten edicionin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve. Ditë më parë është raportuar se Cristiano Ronaldo ka paralajmëruar klubin se nëse nuk luan në Champions edicionin e ri atëherë do të largohet në verë nga ekipi. Portugezi iu bashkua Unitedit në fillim të këtij edicioni dhe ka kontratë deri në vitin 2023, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Aktualisht Unitedi është i shtati në Premier League me 35 pikë të grumbulluara.