Sport

Reali i Ancelottit po dominon në Spanjë

Luka Modriq sapo kishte marrë trofeun e lojtarit më të vlefshëm pas finales së Superkupës së Spanjës, kur trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, filloi t'i bërtiste nga larg.

“Ke humbur një pasim”, u ankua Ancelotti, duke hapur krahët në drejtim të kroatit, ndërsa Modriq u afrua dhe i tha fjalët: "Ju e ndieni topin në vijën anësore."

Modriq filloi të buzëqeshë dhe të dy u përqafuan shpejt. Pasimi i humbur duket si e vetmja gjë që ka shkuar keq për Real Madridin këtë edicion. Pas një paraqitjeje tjetër solide nga Modriqi dhe shokët e tij të dielën, Madridi mundi me lehtësi Athletic Bilbaon, 2:0, në finalen e Superkupës për të përforcuar statusin si ekipi më i fortë në Spanjë. Superkupa u luajt në Arabinë Saudite.

“Është gjithmonë e rëndësishme të fitosh trofeun e parë të edicionit”, tha Modriq. “Por ka ende shumë trofe të tjerë për t’i synuar, siç është Kupa e Spanjës, La Liga dhe Liga e Kampionëve. Ne duhet të vazhdojmë këtë moment të mirë deri në fund të edicionit. Kemi luajtur mirë deri më tani, me shumë besim. Ky trofe na motivon edhe më shumë për të ecur përpara”.

Pasi nuk ngriti trofe edicionin e kaluar për herë të parë në më shumë se një dekadë, gjërat kanë ndryshuar për mirë për fuqinë spanjolle të futbollit, me Ancelottin që në postin e trajnerit e ka zëvendësuar Zinedine Zidanen.

Trajneri italian e ktheu shpejt ekipin në rrugën e duhur, duke përzier përvojën me lojtarët e rinj për ta bërë Real Madridin më konkurrues se një vit më parë. Karim Benzema ka partneritet perfekt me Vinícius Juniorin në sulm, ndërsa Eduardo Camavinga i ka shtuar pak freski një mesfushe me përvojë që është mbështetur te Modriqi, Toni Kroosi dhe Casemiro.

Portieri Thibaut Courtois udhëheq një mbrojtje që humbi Sergio Ramosin, por ka performuar mirë me Eder Militaon dhe David Alaban.

Real Madridi i Ancelottit shpesh i ka kushtuar jo shumë vëmendje posedimit të topit dhe ka lulëzuar në kundërsulme, gjë që ka i ka shkaktuar më shumë dëme kundërshtarëve. Kështu ndodhi në dy raste kur e mundi Barcelonën këtë edicion - në ligën spanjolle në “Camp Nou” dhe javën e kaluar në gjysmëfinalen e Superkupës.

Real Madridi fitoi në ligë kundër Atletico Madridit dhe Sevillas, e cila është sfiduesja më e afërt për titullin e kampionit, duke qëndruar pesë pikë prapa, me një ndeshje më pak të luajtur.

Atletico dhe Barcelona janë më shumë se 15 pikë prapa Real Madridit në gjysmë të edicionit. Skuadra e Ancelottit ka sulmin më të mirë të ligës me 45 gola të shënuar në 21 ndeshje - 12 më shumë se çdo ekip tjetër. Ka gjithashtu një nga mbrojtjet më të mira me 18 gola të pësuar, duke treguar një ekuilibër që jo gjithmonë ishte aty në fund të periudhës së Zidanet.

Ancelotti ka ndërruar formacionin shpesh dhe tha se është krenar për mënyrën sesi lojtarët kanë qenë në gjendje të përshtaten me rrethanat e ndryshme.

“Ne mund të luajmë në mënyra të ndryshme. Kjo është forca e këtij ekipi”, tha Ancelotti. “Më pëlqen të shoh ekipin duke luajtur. Jemi mjaftueshëm të fortë për të luftuar në të gjitha garat që na kanë mbetur ende”.

Real Madridi është në 1/8 e finales në Kupën e Mbretit dhe në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve, kompeticion që Ancelotti e fitoi në aventurën e parë në “Santiago Bernabeu”, në vitin 2014. Ndeshja e radhës e skuadrës është të enjten në udhëtim te Elche në “Copa del Rey”. Me Elchen luan edhe në vikend në kuadër të La Ligas. Ndërkohë në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve, Reali do të përballet me Paris Saint-Germainin në muajin shkurt.