Sport

Rrahmani i gatshëm për ndeshjen e veçantë

Amir Rrahmani e ka pranuar se situata e tij te Napoli ka ndryshuar nën urdhrat e trajnerit Luciano Spalletti. Ai ka nënvizuar se lojtarët “ndjejnë më shumë përgjegjësi” para takimit vendimtar kundër Leicester Cityt në Evropë.

Kapiteni dhe reprezentuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Rrahmani, ka folur për ndeshjen e gjashtë dhe të fundit në Ligën e Evropës që zhvillohet të enjten. Napolit i duhet fitorja patjetër në mënyrë që ta sigurojë kalimin në fazën tjetër të garës.

“Këto janë ndeshje të veçanta, këto 90 minuta mund të vendosin fatin e të dyja skuadrave. Është ndeshje e veçantë. Ne duhet që të hyjmë në fushë dhe të japim më të mirën nga vetja”, ka thënë Rrahmani në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes. Napoli – Leicester City që luhet në stadiumin “Diego Armando Maradona” do të nis në orën 18:45.

Qendërmbrojtësi i Kosovës ka folur tutje edhe për situatën aktuale me napolitanët. Ai ka thënë se situata ka ndryshuar qëkur në krye të skuadrës erdhi trajneri Luciano Spalletti, i cili drejtimin e klubit e mori në verën e këtij viti.

“Tani po luaj më shumë. Kjo ka ndryshuar”, ka thënë Rrahmani dhe ka qeshur.

“Te një skuadër si Napoli, duhet të jenë të paktën dy lojtarë në secilën pozitë. Në qendër të mbrojtjes, ne kemi katër lojtarë shumë të fortë. Lojtari gjithmonë kërkon gjëra të ndryshme nga ne, varësisht se kë e kemi për kundërshtar”, ka thënë fillimisht Rrahmani.

“Ne duhet të fokusohemi në atë që na është kërkuar, mund të ketë ndryshime dhe për këtë arsye ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm. Është ndeshje shumë e veçantë. Çdokush ëndërron të luajë në lojë të tilla dhe lojtarët e vërtetë i gjenë këtu, ata të cilët janë me karakter dhe ata të cilët e dinë se çfarë duan”, është shprehur Rrahmani.

Vetë Rrahmani është pjesë e lojtarëve të cilët duhet ta kenë përgjegjësinë, pasi trajneri i skuadrës llogarit shumë në të. Napoli i presidentit Aurelio de Larentiis e ka të zakonshme kalimin e fazës së grupeve në gara evropiane. Një gjë të tillë e ka dëshmuar edhe në shumë raste tjera. Rrahmani ka thënë se lojtarët “e ndjejnë përgjegjësinë” para takimit me “dhelprat” nga Anglia.

“E ndjejmë përgjegjësinë jo vetëm në Ligën e Evropës, por edhe në ligë po ashtu. Ne luajmë gjithmonë për të fituar, edhe nëse ndonjëherë nuk ia arrijmë një gjëje të tillë. Ka gjithmonë hapësira për t’u përmirësuar. Ka momente në ndeshje kur duhet të presësh. Ka edhe momente tjera kur nuk mund të bësh asgjë. Gjithmonë ka hapësirë për përmirësime”, përfundoi 27-vjeçari i qendrës së mbrojtjes.

Rrahmani në këtë edicion në të gjitha garat me skuadrën e Napolit ka zhvilluar gjithsej 18-të ndeshje. Ka dy gola të shënuar me fanellën e Napolit.