Sport

MKRS-ja pranon se projektet e investimeve kapitale në sport janë në kaos

Renovimi i stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë ka nisur shumë muaj më parë, por nuk dihet se kur do të përfundojë. Është paralajmëruar rritja e kostos për renovimin e këtij objekti gjigand sportiv, duke u arsyetuar me shtrenjtimin e materialit bazë. Ka shumë paqartësi lidhur me këtë projekt.

Por nuk është projekti i vetëm që është në kaos. Se ka kaos në projektet e investimeve kapitale e ka pranuar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Të martën ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Kulturë. Çeku ka raportuar lidhur me punën tetë mujore të MKRS-së, ndërsa një raport përmbledhës të punës e ka paraqitur edhe në profilin zyrtar në “facebook”. Ai ka rreshtuar problemet që kanë të bëjnë me investimet kapitale në fushën e sportit.

“Sfida kryesore në sport është kaosi në projektet e investimeve kapitale. Mungesa e projekteve, mungesa e kontratave, Memorandumet e pazbatuar me komunat, operatorë të papërgjegjshëm, probleme me pronësinë e tokave, rritja e çmimit të materialit ndërtimor dhe mbi të gjitha mungesë totale e planifikimit strategjik për orientimin e investimeve ne infrastrukturë sportive. Me gjithë këto sfida, po bëjmë më të mirën për të dinamizuar procesin. Deri tani kanë përfunduar Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, Palestra sportive në Skënderaj, stadiumi i Zhurit (pjesa që i takon Ministrisë), Stadiumi 2 Korriku dhe Ramiz Sadiku. Aktualisht kemi 37 projekte aktive të inestimeve kapitale në sport, me buxhetin e vitit 2022 synojmë përmbylljen e të paktën 15 prej tyre”, ka shkruar ministri Çeku.

Për afro dy dekada ka pasur vërejtje të shumta lidhur me investimet kapitale të bëra në sport. Shpesh ka munguar kontrollimi i mirëfilltë i punëve të bëra, ndërsa telashe paraqet edhe mirëmbajtja e objekteve. Ka pasur raste, si i stadiumit “Adem Jashari”, kur renovimet janë bërë nga dy e tri herë. Telashet kanë qenë të shumta edhe për palestrat e ndërtuara. Për shembull palestra në Istog ka fillur të pikë ende pa u lëshuar në shfrytëzim. Së fundi është përuruar edhe palestra në Skënderaj, por menjëherë janë shfaqur telashe me ndriçimin. Dhe kështu, të paktën volejbollistet e Skënderajt janë larguar nga palestra për të luajtur ndeshjet në një sallë të vogël.

Sipas raportit të ministrit Çeku, është rritur mbështetja për sportin elitar.

Ndonëse përkrahja për federatat sportive ishte zvogëluar, Çeku ka përmendur vetëm faktin se për to janë ndarë rreth 3.5 milionë euro. Sporti është mbështetur me 5.6 milionë euro, pa llogaritur investimet kapitale.

Sipas raportit, krahasuar me dy vitet paraprake, rritja e përkrahjes është rreth 40 për qind. Rreth 40 për qind kishin thënë disa federata se u është zvogëluar përkrahja e rregullt në krahasim me vitin e kaluar.

Ministri Çeku ka përmendur programet që kanë të bëjnë me sportin shkollor dhe sportin universitar. Ka cekur edhe përfundimin e Udhëzimit Administrativ për licencimin e federatave sportive. Ka njoftuar se të gjitha federatat do të kalojnë përmes procesit të rilicensimit.

“Për herë të parë kemi ndarë fond të veçantë për shërimin dhe rikuperimin e lëndimeve sportive. Ky fond zhvillohet në kuadër të politikës së Mjekësisë Sportive dhe përveç sportistëve janë përfshirë edhe balerinët dhe valltarët. Ka filluar zhvillimi i konceptit ‘Kosova Judo Nation’, një lloj brandimi ndërkombëtar i shtetit tonë përmes sportit të xhudos. Gjithashtu kemi nisur zhvillimin e databazës së integruar sportive. Së fundmi, me vendim të Qeverisë së Kosovës, kemi shpallë Majlinda Kelmendin ‘Qytetare me Merita të Veçanta’”, shkruan në raportin e ministrit Çeku.