3 perditesime
14:55

Drita shënon fitore të thellë kundër Dukagjinit

Me dy gola të Arbnor Mujës dhe nga një të Ilir Blakçori e Ardit Tahirit, Drita e ka mposhtur Dukagjinin me rezultatin 4:0.

Kjo ndeshje u zhvillua sot në stadiumin e qytetit në Gjilan dhe ishte dueli i fundit i javës së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Për Mujën që është rikthyer nga lëndimi javën që shkoi, ishte hera e parë që shënoi me fanellën e Dritës.

Golin e parë, Muja e shënoi në minutën e nëntë. Ai u gjend mirë në zonë duke shënuar pas harkimit të Almir Ajzerajt.

Nga minuta e 40-të, Dukagjini mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, pasi u përjashtua me karton të kuq Altin Merlaku, i cili ndërhyri në Ardian Limanin.

Drita ka mundur të shkojë në pushim me epërsinë e dy golave, por Almir Ajzeraj nuk ia doli që të shënoi nga penalltia në fund të pjesës së parë. Goditjen e tij e priti portieri Kenan Haxhihamza.

Ndërkaq, golin e dytë Arbnor Muja e realizoi në minutën e 66-të. Ai u asistua nga Albin Berisha.

Gjashtë minuta para fundit të ndeshjes, mbrojtësi i krahut të majtë, Ilir Blakçori shënoi golin e tretë.

Kurse në kohën shtesë, Ardit Tahiri vulosi triumfin e thellë të “Intelektualëve”, duke realizuar golin e katërt.

Me 28 pikë, Drita renditet në pozitën e tretë. Ka dy pikë më pak se Ballkani që është në vendin e parë dhe një më pak se Gjilani që renditet i dyti. Ndërkaq, Dukagjini është i nënti me 16 pikë.

14:25

Drita dyfishon epërsinë

Skuadra e Dritës ka dyfishuar epërsinë në ndeshjen kundër Dukagjinit. Edhe golin e dytë për Dritën në këtë takim që po luhet në Klinë dhe i takon xhiros së 16 të Superligës e shënoi Arbnor Muja. Muja golin e realizoi në minutën e 62-të pasi mori top nga Albin Krasniqi.

13:55

Ajzeraj humb penalltinë, Drita me një gol në epërsi pas pjesës së parë

Almir Ajzeraj ka humbur mundësi të artë për ta dyfishuar epërsinë e skuadrës së Dritës në pjesën e parë kundër Dukagjinit.

Në minutën e gjashtë të kohës shtesë, Ajzeraj ka dështuar nga penalltia pasi gjuajtjen e tij e priti portieri Kenan Haxhihamza.

Megjithatë, përkundër humbjes së penalltisë, Drita është në epërsi 1:0 kundër Dukagjinit pas pjesës së parë, falë golit të shënuar nga Arbnor Muja (9’).

Kjo ndeshje po luhet në qytetin e Klinës dhe është e fundit në kuadër të xhiros së 16 të Superligës së Kosovës në futboll.

13:12

Muja kalon Dritën në epërsi

Drita ka kaluar në epërsi në duel ndaj Dukagjinit.

Arbnor Muja ka shënuar nga afërsia në minutën e nëntë, pas harkimit të Almir Ajzerajt.

Ndeshja po zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gjilan dhe i takon javës së 16-të të Superligës.

Ky duel është i fundit i kësaj xhiroje.