Sport

Gjilani e Drita dalin në krye të tabelës me pikë të njëjta 

Descriptive Text

Kanë përfunduar edhe tri ndeshje tjera në Superligën e Kosovës në futboll. Të shtunën në kuadër të xhiros së 14-të në elitën e futbollit kosovar fituan Gjilani, Drita dhe Malisheva.

Gjilani mposhti me rikthim skuadrën e Ulpianës me rezultatin 2:1 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Golin e epërsisë për Ulpianën e shënoi Egzon Qerimi në minutën e 23-të, por Albert Dabiqaj në minutën e 64-t dhe Gerhard Progni në minutën e 85-të, ia dhanë fitoren vizitorëve.

Gjilani ka 25 pikë dhe është lider bashkë me Dritën, me një pikë më shumë se Ballkani që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Ulpiana pozicionohet në vendin e shtatë me 16-të pikë.

Drita në stadiumin e qytetit në Gjilan fitoi përballë Drenicës. Golin e fitores e realizoi Marko Simonovski në minutën e 89-të, pas asistimit të Altin Kryeziut. Për Simonovskin ishte goli i katërt i sezonit. Drenica mbetet në vendin e katërt me 20 pikë.

Ndërkohë, Malisheva në minutën e fundit të kohës shtesë shënoi fitore në udhëtim te Feronikeli, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Golin e vetëm të ballafaqimit e shënoi Ronald Sobowale në minutën e 94-t.

Malisheva ngjitet në vendin e tetë me 15 pikë, aq sa ka edhe Dukagjini në vendin e nëntë. Feronikeli është i fundit me 10 pikë.

Të dielën në stadiumin në Merdarë zhvillohet ndeshja ndërmjet Llapit e Ballkanit, në orën 13:30.