1 perditesime
13:27

Boksierët kosovarë sërish nuk lejohen të hyjnë në Serbi

Boksierët kosovarë sërish nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi për të marrë pjesë në Botërorin në Beograd.

Është hera e tretë që boksierët kosovarë janë kthyer prapa.

“Qëndruam dy orë në kufi, nuk na lejuan të kalojmë, po kthehemi”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli për KOHËN.

Lajmin për moslejimin e futjes së ekipit të Kosovës në Serbi, e ka konfirmuar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Ekipi i boksit të Kosovës nuk u lejua as sot të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që sonte nis në Beograd. Ekipi tentoi të kalojë kufirin në Merdarë, por pas dy orë pritje në kufi dhe kontrollimi të detajshëm të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhrin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi. Ekipi i boksit u nis për herë të tretë drejt Serbisë, këtë herë pas insistimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe AIBA-s, me të cilët drejtuesit e KOK-it, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm. KOK dënon ashpër veprimin e Qeverisë së Serbisë, derisa do të kërkojë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organet tjera përkatëse të marrin masa ndaj Serbisë”, thuhet nga KOK-u.

Kosova në Botërorin në Beograd ishte paraparë të merrte pjesë me tre boksierë. Patriot Behramin, Shpëtim Bajokun e Bashkim Bajokun.

“Vetëm na thënë se kemi urdhrin nga lartë që të mos lejohet hyrja e boksierëve të Kosovës në Serbi. Fillimisht menduam se po na lënë të futemi, por erdhi shefi aty dhe na tha se e kem urdhrin nga lartë që të mos lejohet të hyjë ekipi i Kosovës”, tha seleksionuesi i Kosovës, Besim Brahimi.

11:04

Boksierët nisen edhe njëherë për në Serbi

Delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës është nisur edhe njëherë për në Serbi, ku mbahet Botërori i boksit amator. Këtë e ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.

“Me sygjerim të Komitetit Olimpik të Kosovës jemi nisur edhe njëherë. Pra është hera e tretë. Jemi rrugës për në Merdare. Sipas KOK-ut nëse nuk na lejojnë sërish të dalim në Serbi, ka gjasë të anulohet i tërë Botërori”, ka thënë Demolli për KOHËN.

Të shtunën dy herë përfaqësuesja e Kosovës në boks është ndalur në kufi me Serbinë. Kjo ka bërë bujë, ndërsa pos institucioneve të vendit ka reaguar edhe AIBA.