Sport

Medaljet e Botërorit të Beogradit, me Kosovën “pjesë” të Serbisë

Federata e Boksit e Kosovës të mërkurën njoftoi se selektori Besim Brahimi beson se boksierët kosovarë do të kthehen me medalje nga Kampionati Botëror që do të mbahet në Beograd. Botërori në Beograd do të nisë të dielën dhe do të përfundojë më 6 nëntor.

Medaljen, të cilën boksierët synojnë ta fitojnë, Federata e Boksit e Serbisë e ka publikuar të mërkurën gjatë ditës në faqen zyrtare të saj në “Facebook”. Në medaljen e bërë publike, Kosova paraqitet në hartë si “pjesë” e Serbisë. Publikimi i medaljes nga Federata e Boksit e Serbisë është bërë për të hequr të gjitha dilemat se Kosova nuk është përfshirë në hartën e Serbisë. Kjo, për shkak se ka pasur dilema nëse Kosova nuk është përfshirë në hartë në medaljen zyrtare të Federatës serbe si organizatore e Botërorit. Por në Kosovë e kanë kaluar në heshtje, të paktën deri në orët e vona të së mërkurës.

Image

Nuk ka pasur reagim as nga Federata e Boksit e Kosovës e as nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Madje, reagimet kanë munguar edhe nga niveli shtetëror. KOHA ka kontaktuar me sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, dhe me presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi. Por asnjëri prej tyre nuk ka dashur të japë ndonjë koment në lidhje me publikimin e medaljes që sipas Federatës së Boksit të Serbisë, me Kosovën “pjesë” të Serbisë, është zyrtare. KOHA ka provuar të marrë qëndrim edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Çeku nuk u është përgjigjur telefonatave e as mesazheve të KOHËS, ndërsa Kryeziu ka thënë se nuk ka qenë në dijeni.

“Nuk paskam qenë në dijeni për këtë. Faleminderit që e ndave me mua. Po e përcjelli fillimisht në MKRS për të parë nëse kjo çështje është duke u trajtuar”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Kryeziu, të mërkurën në mbrëmje.

Por në Federatën serbe kanë treguar se tashmë gjithçka është bërë gati për Kampionatin Botëror.

“Medaljet zyrtare të Kampionatit Botëror të Boksit, Beogradi 2021”, shkruan në postimin e Federatës serbe në “Facebook”.

Image

Në fakt, ka edhe dilema të tjera nëse Kosova do të lejohet të marrë pjesë me simbole shtetërore në Serbi. Pjesëmarrjen për Botërorin në Beograd tashmë e ka paraqitur. Në Federatën e Boksit të Kosovës insistojnë se Kosova do të jetë pjesëmarrëse me simbole shtetërore, në të kundërtën do të tërhiqen nga kjo ngjarje.

“Jemi të gatshëm të marrim pjesë në Botëror. Tre boksierët tanë dhe ne përgatitemi të udhëtojmë më 22 shtator në Beograd. Nga nikoqiri dhe AIBA jemi në rregull. Kemi lajmëruar ekipin dhe do të jemi me të drejta të barabarta me të gjitha shtetet. I uroj suksese dhe shpresoj të marrim medalje në Beograd. Kosova do të marrë pjesë me simbolet e saj, ndryshe do të tërhiqemi dhe nuk do të marrim pjesë”, ka thënë sekretari i FBOXK-së, Latif Demolli të mërkurën për KOHËN.

Boksierët kosovarë në ngjarjen më të madhe të boksit amator do të synojnë medalje. Për të garuar në ngjarjen kryesore botërore janë paraqitur Bashkim Bajoku në kategorinë deri 54 kilogramë, Shpëtim Bajoku në kategorinë deri 63.5 kilogramë dhe Patriot Behrami në kategorinë deri 71 kilogramë. Në delegacion është edhe selektori Besim Brahimi.

“Kemi planifikuar të nisemi të premten. Përgatitjet kanë shkuar mirë, kemi pasur përkrahje të madhe. Jemi të gatshëm të boksojmë, pjesa tjetër i takon Federatës. Qëllimi i secilit sportist është të fitojë medalje. Ne jemi një gjeneratë e re me synime të mëdha. Kemi bërë përgatitjet e duhura”, ka thënë boksieri Bashkim Bajoku.

Bajoku vlerësohet shpresë e madhe e boksit kosovar. Edhe Patriot Behrami vlerësohet më i miri në kategorinë e tij. Ai insiston se në Beograd do të udhëtojnë për medalje.

“Shpresojmë të kemi fat edhe në short, sepse për përgatitje mendoj se i kemi bërë mirë. Na mbetet të luftojmë deri në fund për t’i siguruar Kosovës medalje”, tha ai.

Në të vërtetë, sportistët kosovarë ende nuk kanë garuar në ndonjë ngjarje të madhe ndërkombëtare që është mbajtur në Serbi. Janë gjetur mënyra nga organizatorët, por edhe nga përgjegjësit e federatave ndërkombëtare për të shmangur një gjë të tillë.

Ka pasur përpjekje për të garuar në territorin e Serbisë të përfaqësueseve dhe ekipeve sportive nga Kosova. Kështu, hendbollistet e reja (U19) të Kosovës në mars të vitit 2018 u vendosën në Kovilovo, në afërsi të Beogradit, ku është dashur të zhvillonin ndeshjet kualifikuese për Botëror me Serbinë, Sllovakinë e Norvegjinë. Hendbollistet e reja zhvilluan një stërvitje atje, por më pas pati protesta të tifozëve e qytetarëve serbë, si në afërsi të Qendrës Sportive ashtu edhe në Beograd. Kështu autoritetet serbe ndaluan hyrjen në palestër për Përfaqësuesen e Kosovës dhe kjo solli anulimin e garës. Serbia u dënua më pas nga EHF-ja. Ka pasur forca të mëdha të sigurisë që kanë përcjellë ekipin e Kosovës gjatë tërë rrugës nëpër Serbi. Po ashtu, qindra pjesëtarë të sigurisë ishin rreth Qendrës Sportive në Kovilovo. Kështu, hendbollistet e reja janë sportistet e vetme që prezantojnë Kosovën e që kanë stërvitur në territorin e Serbisë.

Në maj të vitit 2018 ishin karateistët kosovarë që provuan të hynin në Serbi për të marrë pjesë në një Evropian të mbajtur në Novi-Sad. Por dy tentimet e tyre për të hyrë në Serbi ishin të pasuksesshme. Në hendboll në të kaluarën ka pasur përballje të ekipeve nga Kosova e Serbia, por edhe të përfaqësueseve. Por vetëm në vende të treta, jo në Kosovë e Serbi. Ndërkohë, në futboll nuk lejohen përballjet e Kosovës dhe Serbisë. Kjo praktikë është zgjeruar edhe në sportet e tjera, basketboll, hendboll e volejboll. Edhe në sportet individuale deri më tani janë shmangur pjesëmarrjet e sportistëve kosovarë në ngjarjet e mbajtura në territorin e Serbisë. Në atletikë, për shembull, Kosova merr pjesë në të gjitha kampionatet ballkanike, pos atyre që mbahen në Serbi. Nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar se pse ndodh kjo, por ka vlerësime se ka një marrëveshje në parim që kosovarët të mos garojnë në Serbi, e po ashtu që sportistët e Serbisë të mos garojnë në Kosovë. Kështu boksierët mund të jenë të parët. Në një takim me drejtuesit e KOK-ut, drejtuesit e FBOXK-it kanë thënë se janë optimistë që nga kampionati në Beograd do të kthehen me medalje.

Fitimi eventual i medaljeve do të mund të sillte komplikime shtesë, nëse organizatorët kanë paraparë intonimin e himneve dhe ngritjen e flamujve për medalistët.

KOHA i ka shkruar AIBA-s (Federatës Ndërkombëtare të Boksit Amator) lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në Botërorin në Beograd. Deri të enjten mbrëma nuk ka marrë përgjigje. AIBA ka njoftuar se boksierë nga 105 vende do të marrin pjesë në Botërorin e 21-të të boksit amator. Numri prej 650 boksierëve të paraqitur është rekord në histori të turneut. AIBA nuk i ka paraqitur emrat e vendeve pjesëmarrëse. Për herë të parë garuesit do të garojnë në 13 kategori të ndryshme. Fondi shpërblyes i gjithë garës do të jetë 2,6 milionë dollarë. Fituesit e medaljeve të arta në secilën kategori do të marrin nga 100 mijë dollarë. Për medalje të argjendtë shpërblimi është 50 mijë dollarë, ndërsa për të bronztën nga 25 mijë dollarë.