Prishtinë, 18 tetor – Për ndeshjet e nëntorit, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll mund ta ketë në ekip një mbrojtës tipik të krahut të majtë. Të tillë nuk ka aktualisht, përkatësisht tip të lojtarit që luan me këmbën e majtë dhe mbulon pozitën e mbrojtësit të majtë në nivel skuadrash. E ka pasur më herët në grup, por që nuk është shfrytëzuar shumë.
Leart Paqarada, që po kalon formë të mirë në Bundesliga 2 të Gjermanisë, është i gatshëm të kthehet në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. I pakënaqur me hapësirën që kishte në Përfaqësuese, Paqarada kishte vendosur që të mos e pranonte ftesën e Kosovës për sa kohë që selektor të ishte Bernard Challandes.
Challandes ka ndarë rrugët me Federatën e Futbollit të Kosovës më 13 tetor dhe kështu është hapur në një mënyrë rruga për kthimin e Paqaradës në Përfaqësuese. Në ndeshjet e nëntorit Kosovën pritet ta udhëheqë slloveni Primozh Gliha, që ishte asistenti i parë i zviceranit Challandes. Nëse Gliha eventualisht vendos që ta ftojë Paqaradën, majtaku do të jetë në grumbullim.
Kosova më 11 nëntor luan miqësore. Ndërkohë më 14 nëntor e luan ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Botërorin 2022. Në Athinë takohet me Greqinë.
Ishin rezultatet e dobëta në kualifikime, që kulmuan me humbjen 2:1 nga Gjeorgjia në Prishtinë më 12 tetor, që sollën ndarjen me Challandesin.
Paqarada më 4 prill kishte njoftuar që përkohësisht largohet nga Përfaqësuesja dhe se nuk do të ishte në dispozicion për sa kohë që Challandes të jetë në krye të Përfaqësueses. Ai kishte vlerësuar se “është mbështetur për muri nga degradimi në vazhdimësi nga trajneri”.
Futbollisti është pyetur nga KOHA se a është i gatshëm për kthim te Kosova?
“Patjetër. Në muajt e fundit nuk ishte e lehtë t’i shikoja në televizor ndeshjet. Me zemër gjithmonë kam qenë në ekip”, është përgjigjur Paqarada.
Lista për ndeshjet e nëntorit nuk është publikuar ende. Pas pak ditësh mund të nisë shpërndarja e ftesave për lojtarët. Paqarada nuk e di nëse një e tillë do të shkojë te St. Pauli skuadra e tij.
“Nuk e di. Unë për vete mund të tregoj që jam i gatshëm. Po kaloj formë të mirë. Nëse trajneri i ri më fton, unë do të jem aty”, ka shtuar 27-vjeçari.
St. Pauli udhëheq në Bundesliga 2. Paqarada ka luajtur në dhjetë ndeshjet e deritashme. Ka startuar në të gjitha. Gjithnjë ka mbuluar krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa është zëvendësuar vetëm në tri takime.
Së fundi te Kosova mbrojtës i majtë është paraqitur Fidan Aliti. Ai vazhdimisht te Kosova, por edhe te Zuerichu, ka luajtur mbrojtës i qendrës. Kryesisht pozita e mbrojtësit të majtë në mbrojtjen me katër lojtarë, te Kosova është mbuluar nga Mërgim Vojvoda e Florent Hadërgjonaj. Pozita e tyre natyrale është ajo e mbrojtësit të djathtë, por në mungesë të opsioneve si dhe konkurrencës në krahun e djathtë, Hadërgjonaj apo Vojvoda janë zhvendosur në krahun e majtë. Ndaj Suedisë, në humbjen 3:0, mbrojtës i krahut të majtë ishte Florent Hadërgjonaj, kurse Vojvoda luajti në krahun e djathtë.
Në mars, kur Paqarada ishte në ekip, përkatësisht në stol, Benjamin Kololli kishte luajtur mbrojtës i majtë. Ai ka qenë zgjedhja e parë, por më nuk po luan për Kosovën. Është transferuar në kampionatin japonez. Kololli në Zvicër luante sulmues i krahut të majtë e te Kosova, ndonëse i pakënaqur me këtë pozitë, ishte mbrojtës i krahut të majtë.
Paqarada natyrisht ka përcjellë ndeshjet e Kosovës.
“Ka pasur edhe paraqitje të mira, ku ndoshta edhe fati nuk ishte në anën tonë. Besoj që kemi merituar më shumë pikë dhe më shumë rezultate pozitive. Për nëntor cak duhet të jetë t’i kryejmë kualifikimet me një ndjenjë pozitive, për vetëbesim për sfidat e ardhshme”, ka theksuar Paqarada.
“Se kush luan në pozitën e mbrojtësit të majtë e vendos trajneri. Natyrisht, nëse atë pozitë e mbulon një lojtar që aktivizohet rregullisht mbrojtës i majtë dhe luan me këmbë të majtë, është një avantazh. Mirëpo nuk do të thotë që një lojtar me këmbë të djathtë nuk mund të bëjë paraqitje të mira”, shton Paqarada.
Ai ishte pjesë e Kosovës prej vitit 2016. Më herët luajti një ndeshje për Shqipërinë U21 dhe 14 për të rinjtë e Gjermanisë. Me Kosovën në 21 ndeshje ka shënuar një gol. Një kohë ishte titullar, por gradualisht humbi terren.
“Raportet me përgjegjësit e Kombëtares gjithmonë kanë qenë të mira. Vendimi i së shkuarës nuk kishte të bënte aspak me ta”, thotë Paqarada.
Ai ka luajtur gjatë te Sandhauseni para se vjet të transferohej te St. Pauli. Kjo skuadër po ecën sigurt këtë edicion.
“Deri tash jam i kënaqur me kampionatin. E kam filluar çdo ndeshje dhe momentalisht më vjen lehtë të hyj në lojë me vetëbesim të madh. E kemi ekipin e fortë, mirëpo ende është herët të themi se jemi gati për Bundesligë. Nëse vazhdojmë kështu, atëherë ka shanse”, ka theksuar majtaku.
