Sport

“Rekordi i zi” i Prishtinës

Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Prishtina, të shtunën pësoi humbjen e dytë si vendase këtë edicion në Superligë. Humbi nga skuadra e Llapit me rezultatin 2:1.

Të parën ndeshje e kishte humbur në xhiron e dytë nga Ballkani. Karshi dy humbjeve në shtëpi, skuadra “bardhekaltër” ka edhe dy barazime. Pra, me Ulpianën janë dy klubet e vetme që nuk kanë fituar asnjë ndeshje në shtëpi këtë edicion. Kjo për Prishtinën, sipas drejtorit sportiv, Fisnik Kërçeli, është “rekord i zi”.

“Prejse jam te Prishtina, për dy gjëra jemi në histori. Prishtina nuk i ka bërë tri humbje rresht për një kohë të gjatë dhe atë e ‘arriti’ edicionin e kaluar ku në fund dolëm kampion. Ndërsa tash kemi pesë ndeshje si vendas pa fitore dhe nuk i ka ndodhur Prishtinës kjo. Asnjëherë nuk i ka ndodhur pesë ndeshje pa fituar si vendase, këtu e përfshij edhe ndeshjen e Superkupës. Shpresoj të jetë e lidhur si edicionin e kaluar, pra ta kemi fatin e njëjtë dhe në fund të dalim kampion. Por, nuk do të thotë se edhe sivjet mundemi ta kemi fatin e njëjtë, do të jetë e vështirë”, ka thënë Kërçeli të dielën për KOHËN.

Prishtina është në vendin e gjashtë. Ka fituar dhjetë pikë në nëntë ndeshje. Ka dy fitore, katër barazime dhe tri humbje.

Kërçeli pranon se rezultatet nuk janë as për së afërmi në përputhje me cilësinë që kanë në ekip. Megjithatë ka besim se kanë kapacitet për ta mbrojtur titullin.

“Do ta gënjenim vetëm po të thoshim se jemi të kënaqur. Në bazë të cilësisë që kemi mundemi më shumë. Me rëndësi e dimë situatën e brendshme si është dhe besoj se Prishtina është ekip me potencial për ta mbrojtur titullin. Grupin dhe kualitetin e ka”, ka theksuar ai.

Prishtina është ndër klubet më të përforcuara këtë verë. Madje, me më së shumti lojtarë me përvojë. Për rezultatet negative përgjegjësia, sipas Kërçelit, nuk është vetëm e trajnerit Zekirija Ramadani. Për Ramadanin thotë se nuk është diskutuar shkarkimi.

“Deri tash nuk është diskutuar puna e trajnerit. Besimin e klubit e ka. E ka besimin e plotë trajneri. Nuk jemi të kënaqur aspak, por besojmë se do të këndellemi. Jemi 24 orë në kontakt, nuk u ikim përgjegjësive. Por, duhet filluar të këndellemi ose do të obligohemi të bëjmë një analizë të thellë. Për nëntë xhiro dhjetë pikë me këtë grup nuk besoj se ndonjë ekspert që do të mund të vlerësojë. Pa dashur të anashkalojmë që ka pasur edhe mungesa, por e dimë se mundemi më shumë”, është shprehur ai.

Kërçeli ka theksuar se nuk do të ketë dënime për lojtarët.

“Dënimet janë të palogjikshme se më shumë se futbollisti që dëshiron fitoren asnjë tjetër. Dënimi nuk të çon drejt suksesit, këta lojtarë kanë qenë që janë shpallur heronj dhe kanë bërë histori me Prishtinën edhe kur ka pasur kriza financiare. Por, përgjegjësi sigurisht se duhet kërkuar duke nisur nga unë e deri te personi i fundit në klub. Kur nuk ka rezultate, duhet mbajtur përgjegjësi. Në sukses dhe në humbje të gjithë marrin përgjegjësi”.

Trajneri Zekirija Ramadani tha se janë të zemëruar me rezultatet e deritashme.

“Më e vështira është ta gjej komentin e duhur për këtë ndeshje. E uroj Llapin për fitore. Disi po na ecën shumë keq në fushën tonë. Nuk e kemi asnjë fitore deri tani. Është hera e dytë që po e humbim një ndeshje në vazhdime. Eksperiencën e kemi, por derisa ndodhin këto gjëra, eksperienca nuk vlen. Sot e kishim në dorë avantazhin nga pjesa e parë, u munduam ta menaxhojmë. Jemi të zemëruar. Përgjegjësinë e ka trajneri, do ta shohim se si do të veprojmë tutje. Ajo që ndodhi vitin e kaluar është shumë e vështirë të përsëritet këtë vit. Shpresoj në rikthimin e futbollistëve, pasi disa prej tyre janë të lënduar”, tha Ramadani pas ndeshjes me Llapin.

Prishtina edhe ndeshjen e radhës e luan në shtëpi. Ballafaqohet me Malishevën.