5 perditesime
22:40

Gjeorgjia shokon Kosovën në “Fadil Vokrri”

Gjeorgjia ka shokuar Kosovën duke e mposhtur në “Fadil Vokrri”. Ndeshja e së martës mbrëma përfundoi 2:1 në të mirë të Gjeorgjisë.

Me humbje, Kosova bie në vendin e fundit në grupin kualifikues për Botëror. I ka katër pikë në vendin e pestë, sa i ka edhe Gjeorgjia në vend të katërt.

22:29

Gjeorgjia rikthen epërsinë

Gjeorgjia ka rikthyer epërsinë ndaj Kosovës (2:1).

Golin e dytë të Gjeorgjisë në këtë ndeshje e shënoi mesfushori Zuriko Davitashvili me kokë nga afërsia në minutën e 82-të pas harkimit të Irakli Azarovit.

 

 

21:55

Nis pjesa e dytë e ndeshjes Kosovë – Gjeorgji

Ka filluar pjesa e dytë e ndeshjes mes Kosovës dhe Gjeorgjisë.

Ndeshja po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa rezultati pas pjesës së parë është 1:1. Kjo ndeshje i takon Grupit B të eliminatoreve për Botërorin 2022.

Vedat Muriqi realizoi golin e barazimit për Kosovën në fund të pjesës së parë. Ai shënoi nga penalltia.

 

21:31

Kosova barazon me gol nga penalltia, përfundon pjesa e parë

Kosova ka barazuar rezultatin ndaj Gjeorgjisë.

Golin e barazimit për “Dardanët” e ka shënuar sulmuesi Vedat Muriqi nga penalltia në minutën e 45-të.

Penalltia u shkaktua ndaj Milot Rashicës dhe u konfirmua edhe pas rishikimit të sistemit VAR.

 

 

20:57

Gabim i portierit Muriq, Kosova në disavantazh

Kosova ka kaluar në disavantazh në përballjen me Gjeorgjinë.

Tornike Okriashvili në minutën e 11-të ka shfrytëzuar një gabim të portierit të Kosovës, Arijanet Muriq, duke realizuar për 1:0, në ndeshjen e Grupit B të eliminatoreve për Botërorin 2022.

 

 

19:35

Publikohet përbërja startuese e Kosovës për ndeshjen me Gjeorgjinë

Janë publikuar përbërjet startuese të ndeshjes eliminatore për Botërorin 2022 mes Kosovës e Gjeorgjisë.

Për Kosovën në portë do të jetë Arijanet Muriq, në mbrojtje janë katërshja Mërgim Vojvoda, Amir Rrahmani, Betim Fazliji e Fidan Aliti.

Në mesfushë janë treshja Besar Halimi, Ibrahim Dresheviq e Bersant Celina, ndërsa sulmi ka mbetur i pa ndryshuar nga ndeshja e kaluar me Suedinë. Do të jetë i përbërë nga treshja, Elbasan Rashani, Milot Rashica e Vedat Muriqi.

Kosova pas gjashtë ndeshjeve në Grupin B zë vendin e katërt, të parafundit me 4 pikë. Gjeorgjia është e fundit me 1 pikë. Ndeshja Kosovë – Gjeorgji do të zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.