Në verën e vitit 2016, vëllezërit Berisha ishin para një vendimi të vështirë. Të vazhdonin të luanin për Norvegjinë që ua kishte ofruar të gjitha mundësitë për të bërë karrierë në futboll. Apo të kalonin te Kosova, vendi i origjinës së tyre.
Vëllezërit Berisha vendosën për një zgjidhje origjinale. I madhi, Valoni, kaloi te Kosova, ku prej atëherë është prej lojtarëve kryesorë. I vogli, Vetoni, vendosi të mbetet te Norvegjia. Ishte një vendim i vëllezërve, që natyrisht ka ndikuar në karrierën e të dyve.
Derisa Valon Berisha ka arritur në shifrën e 29 ndeshjeve me Kosovën, Veton Berisha i ka vetëm pesë ndeshje me Norvegjinë. Mesfushori Valon Berisha para se të kalonte te Kosova i kishte 20 ndeshje me Norvegjinë. Pra ka dukshëm më tepër ndeshje se Vetoni, që luan në rolin e sulmuesit.
Katër ndeshjet e para me Norvegjinë, Veton Berisha i kishte luajtur prej fundit të majit të vitit 2016 e deri në fillim të shtatorit të atij viti. Ishte koha kur lojtarët me rrënjë nga Kosova bënin zgjidhjen e tyre. Kosova ndeshjen e parë zyrtare e ka luajtur më 5 shtator të vitit 2016. Një ditë më herët për Norvegjinë kishte luajtur Vetoni.
Më nuk llogaritën në shërbimet e tij te Norvegjia. Ndeshjen e pestë për Norvegjinë e ka luajtur më 18 nëntor të vitit të kaluar. Ishte në fakt një ekip i Norvegjisë i formuar shumë shpejt, pasi ekipi i parë mbeti i izoluar për shkak të gjendjes me koronavirus.
Veton Berisha, më në fund, të martën mori ftesë tjetër për Norvegjinë. Pra për Norvegjinë A, ku është edhe ylli Erling Haaland. 27-vjeçari është ftuar për ndeshjet kualifikuese të Botërorit me Turqinë dhe Malin e Zi, që janë muajin tjetër. Te Norvegjia për herë të parë është ftuar Dennis Johnsen, ndërsa Berisha është kthyer në ekip.
“Veton Berisha ka karakterizuar ligën tonë për kohë të gjatë. Më pëlqejnë aftësitë e liderit që ai i ka në fushë, intensiteti i tij. Ai është lojtar për të cilin mund të them se duhet të vrapojë më pak. Ai është thuajse shumë agresiv dhe me shumë iniciativë, që do të thotë se kalkulon më pak në situata të rëndësishme”, ka theksuar përzgjedhësi i Norvegjisë, Stale Solbakken. Ai vlerëson përkushtimin e Berishës.
“Më duhet të them që më pëlqen mentaliteti i tij. Është lojtar për ekipin”.
Sipas selektorit norvegjez, Berisha shquhet me vrapimet në thellësi, por edhe si mbrojtës i parë i ekipit. Solbakken ka theksuar se do t’i kërkojë Berishës të vrapojë më pak se që bën te Vikingu.
Veton Berisha po luan për Vikingun në elitën e Norvegjisë. Është kapiten, ndërsa në 17 ndeshje kampionale ka realizuar 13 gola dhe katër asistime. Në dy ndeshje për Kupë i ka realizuar dy gola.
“Është ndjenjë e mirë që jam ftuar. Në të njëjtën kohë unë jam paraqitur mirë këtë edicion dhe ndiej se e kam merituar ftesën. Unë shpresoj dhe besoj se do të kem hapësirë për të luajtur. Do të përgatitem për të luajtur”, ka thënë Berisha për mediat norvegjeze, pasi doli lista e Norvegjisë.
Ai është pajtuar se mund të jetë më i mençur në situata të caktuara, ashtu si ka thënë selektori, por ka shtuar se vrapimi është pjesë e tij.
“Norvegjia ka disa lojtarë që po shkëlqejnë në Evropë. Në kampionatin norvegjez janë disa sulmues, por që e kanë më të vështirë të marrin ftesë. Kjo natyrisht e bën më të vlefshme ftesën”, ka theksuar Veton Berisha.
Berisha ka luajtur edhe jashtë Norvegjisë. Ishte te Greuther Fuerthi në Gjermani dhe Rapidi i Vjenës në Austri. Por nuk shkoi më lart dhe në vitin 2019 u kthye në Norvegji. Një vit luajti për Brannin e më pas për Vikingun. Ai ka luajtur për kategoritë e reja të Norvegjisë, njëjtë si Valon Berisha.
Reprezentuesi i Kosovës, Valon Berisha, aktualisht është te Reimsi në Ligue 1. Më herët ishte edhe te Lazio në Serie A dhe Fortuna Duesseldorfi në Bundesligë.
Norvegjia më 8 tetor luan në udhëtim me Turqinë. Më 11 tetor e pret Malin e Zi. Norvegjia është pjesë e një grupi të fortë, ndërsa aktualisht është në vendin e dytë me 13 pikë, sa i ka edhe Holanda. Turqia është e treta në grupin G me 11 pikë, ndërsa pason Mali i Zi me 8 pikë. Të gjitha përfaqësueset e këtij grupi i kanë nga gjashtë ndeshje.