Sport

Suedia fton Ibrahimoviqin për ndeshjen me Kosovën

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviq është përfshirë në listën e përzgjedhësit të Suedisë, Janne Andersson për ndeshjen me Kosovën. Andersson, të martën ka publikuar listën prej 25 futbollistëve për ndeshjet e muajit të ardhshëm që Suedia i luan në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Suedia muajin tjetër i luan dy ndeshje dhe të dyja i zhvillon në shtëpi, në stadiumin “Solna Arena”. Më 9 tetor përballet me Kosovën, ndërsa tri ditë më vonë edhe me Greqinë, në kuadër të Grupit B kualifikues. Ajo që ka rënë në dy në listën e Anderssonit është kthimi i Ibrahimoviqit, i cili nuk ka luajtur prej muajit mars për Suedinë për shkak të lëndimit.

Në fakt, Ibra pati luajtur në duelin e luajtur në Prishtinë kundër Kosovës, të cilin suedezët e patën fituar me rezultatin 3:0.

Lojtarët e ftuar nga përzgjedhësi Andersson për dy ndeshjet e ardhshme eliminatore të Botërorit “Katari 2022”, janë: Pontus Dahlberg, Kristoffer Nordfeldt, Robin Olsen në portë, pastaj në mbrojtje janë Ludwig Augustinsson, Marcus Danielson, Mattias Johansson, Emil Krafth, Joakim Nilsson, Victor Lindelof, Martin Olsson, Carl Starfelt ndërsa në mesfushë dhe sulm, janë ftuar Jens Cajuste, Viktor Claesson, Albin Ekdal, Magnus Eriksson, Emil Forsberg, Zlatan Ibrahimoviq, Alexander Isak, Jesper Karlsson, Dejan Kulusevski, Kristoffer Olsson, Robin Quaison, Ken Sema, Mattias Svanberg dhe Isaac Thelin.