Skuadra pejane e hendbollit, Besa Famgas, ka bërë disa ndryshime gjatë kësaj vere. Por te klubi pejan nuk kanë ndryshuar synimet. Edhe këtë edicion Besa ka synim titullin dhe trofeun e Kupës së Kosovës. Në garën për titull dhe kupë insistojnë se nuk kanë konkurrencë edhe në sezonin 2021/22 që do ta nisin të enjten. Mbrojtjen e titullit Besa e nis kundër Prishtinës, të cilën e kishte rivalen më të madhe në edicionin e kaluar. Këtë sezon ekipi pejan synon titullin e nëntë rresht, të 18-tin pas pavarësimit të sportit kosovar dhe kupën e 12 të pasluftës. Trajneri i Besës, Arben Muqolli, shpreson që ky edicion të jetë më rivalizues.
“Në Kosovë e kemi ekipin më të mirë dhe nuk do të kemi problem. Kemi luajtur disa ndeshje miqësore dhe nuk kemi pasur probleme. Këto ekipet e tjera kanë bërë ndërrime, por Prishtina pa Deniz Terziqin do ta ketë problem të na rivalizojë. Rahoveci ka bërë disa përforcime, por që nuk besoj se do të jetë ndonjë problem. Problemin e kemi vetëm në arenën ndërkombëtare. Më shumë jemi duke u përgatitur për ndeshjet ndërkombëtare”, ka thënë Muqolli të mërkurën për KOHËN. “Më së shumti dëm po na bën mungesa e konkurrencës në Kosovë për t’u përgatitur për garat ndërkombëtare. Pasojat i kemi vuajtur edhe në të kaluarën. Pa konkurrencë të fortë, Besa nuk do të jetë e fortë në Evropë”.
Kampionia e Superligës në hendboll së fundi është përforcuar me dy lojtarë të huaj. Ka angazhuar hendbollistët nga Mali i Zi, Alot Balsha Raçiq e Denis Shabanoviq. Në radhët e saj ka transferuar nga Prishtina edhe Deniz Terziqin, kurse i janë larguar Bujar Ramosaj, Yll Visoka, spanjolli Victor Alonso, greku Charalampos Mallios dhe Drilon Tahirukaj.
“Kemi bërë ndryshime në ekip dhe sigurisht se do të jenë evidente për garat në Evropë. Në sulm kemi marrë Terziqin, por kemi kohë për t’u bërë gati edhe për fazën e mbrojtjes, sepse largimi i Ramosajt dhe Alonsos janë boshllëqe të mëdha që duhet t’i mbulojmë. Duhet ta krijojmë një mbrojtje të re pa Ramosajn dhe spanjollin. Për garën e ligës e kemi ekipin e mirë, nuk kemi telashe”, është shprehur Muqolli.
Besa do të ketë punë të vështirë në raundin e dytë të Kupës Evropiane. Besa është skuadra e vetme që nis garimin në raundin e dytë të Kupës Evropiane. Pejanët do të takohen me Borcin e Banjallukës, skuadrën nga Bosnjë-Hercegovina. Besa e Borci ishin takuar edhe edicionin e kaluar. Ishin luajtur dy ndeshje shumë të forta. Ndonëse kishte fituar në Pejë, Besa nuk avancoi tutje, pasi humbi me një gol më shumë në Banjallukë. Ndeshja ishte dramatike dhe u vendos në aksionet e fundit. Ndeshjet e raundit të dytë të EHF European Cup për meshkuj luhen më 16/17 dhe 23/24 tetor. Borci është vendas në ndeshjen e parë, ndërsa ndeshja e dytë luhet në Pejë.
“Do të mundohemi të përgatitemi sa më shumë gjatë kësaj periudhe dhe do të ishte një sukses po ta eliminonim Borcin. Të shohim se si do të kalojmë me Borcin, pasi nga ky raund klubet janë dukshëm më të forta. Por ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për t’u përgatitur sa më mirë që të jemi rival i fortë për skuadrën e Borcit”, ka thënë Muqolli.