Sport

Fituesi i “Këpucës së Artë”, Lewandowski, paralajmëron mbrojtjet kundërshtare

Fituesi i “Këpucës së Artë” të Evropës, polaku Robert Lewandowski dërgoi një paralajmërim për mbrojtjet e skuadrave në të gjithë kontinentin të martën, kur e krahasoi veten me një “verë të mirë” që është ende duke u përmirësuar.

Sulmuesi i Bayern Munichut dha gjithashtu lëvdata dhe falënderime të ngrohta për gruan e tij, Anna, kur mori çmimin e golashënuesit më të mirë në futbollin evropian për edicionin e kaluar.

Lewandowski shënoi 41 herë në 29 ndeshje për Bayernin në sezonin 2020/21, duke thyer rekordin e madh të Gerd Muellerit prej 40 golave në një sezon të Bundesligës, të vendosur në edicionin 1971/72. Numri i golave të polakut paraqet shifrën më të lartë në Evropë që kur Cristiano Ronaldo shënoi 48 gola për Real Madridin në edicionin 2014/15.

Sulmuesi 33-vjeçar këmbëngul se ka ende edhe shumë gola dhe tituj që e presin. Ai insistoi se do të jetë i tillë edhe për një periudhë të gjatë.

“Unë jam akoma këtu dhe do të jem këtu për një kohë të gjatë”, tha Lewandowski.

Sulmuesi i Polonisë insistoi se mosha është vetëm një numër. Ai tha se ndihet shumë mirë dhe pranoi se kurrë nuk është ndier më mirë se tani.

“Unë e di se me trupin tim ende mund të luaj për vite në nivelin më të lartë. Unë jam si vera e mirë dhe shpresoj të bëhem edhe më i mirë”, insistoi sulmuesi polak.

Këtë sezon, Lewandowski tashmë ka shënuar shtatë gola në pesë xhirot e para të Bundesligës, ku Bayerni është lider. Në të gjitha garat e këtij edicioni, Lewa ka 11 gola në shtatë paraqitje.

Ai këtë edicion krahas titullit të kampionit synon edhe trofe të tjera me bavarezët. Lewandowski dha shenja se synimi i tij është që karrierën ta mbyllë te Bayerni, përkundër interesimit nga skuadrat e tjera të mëdha të Evropës. Polaku iu bashkua Bayernit si lojtar i lirë në vitin 2014 dhe ka kontratë deri në vitin 2023.

“Nuk ka mbaruar ende asgjë, ne jemi akoma të uritur për tituj”, tha Lewandowski, i cili shpreson ta ndihmojë Bayernin edhe me një trofe të Ligës së Kampionëve për t’ia shtuar atij që e fitoi vitin e shkuar. “Nuk kam nevojë të shkoj që të dëshmohem. Me Ligën e Kampionëve unë mund të matem me më të mirët. Unë jam 100 për qind i fokusuar te Bayerni dhe nuk mendoj për asgjë tjetër”.

Në ceremoninë e mbajtur në stadiumin “Allianz Arena” të Bayernit, sulmuesi polak ishte i veçantë në lavdërimet për gruan e tij.

“Unë duhet të falënderoj gruan time, ajo është një mbështetje e madhe për mua dhe një motiv kur gjërat nuk shkojnë aq mirë”, tha ai.

Një ish-karateiste ndërkombëtare, Anna Lewandowska është gjithashtu edhe një nutricioniste dhe mbikëqyr dietën e burrit të saj.

“Unë jam shumë krenare për të. Ai është i jashtëzakonshëm si person, si sportist, si partner, si mik dhe si burrë”, insistoi Anna.

Lewandowski është vetëm lojtari i dytë i Bundesligës që fiton këtë çmim pas Muellerit, i cili e fitoi dy herë, në vitin 1970 dhe 1972.

Lionel Messi e ka fituar këtë çmim gjashtë herë duke vendosur rekord, ndërsa Ronaldo e ka marrë katër herë. Mirëpo, sezonin e fundit Messi e Ronaldo nuk u matën me Lewandowskin. Messi shënoi 30 gola, kurse Ronaldo një më pak.