Lideri suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka thënë diplomatit më të lartë të Rusisë, Sergei Lavrov, se vendi i tij është i gatshëm për “mbështetje të pakushtëzuar” ndaj të gjitha veprimeve të ndërmarra nga Moska për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, ka njoftuar mediumi shtetëror verikorean (KCNA) të dielën, teksa të dyja vendet zhvilluan bisedime të nivelit të lartë strategjik.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ndodhet në vizitë tre-ditore në Korenë e Veriut, e cila ka ofruar trupa dhe armatim për luftën e Rusisë në Ukrainë, si dhe ka premtuar më shumë mbështetje ushtarake përderisa Moska zyrtare përpiqet të bëjë përparime në fushën e betejës.
Lideri suprem i ka thënë Lavrovit se hapat e ndërmarra nga aleatët si reagim ndaj ndryshimeve rrënjësore në gjeopolitikën globale do të kontribuojnë në sigurimin e paqes dhe të sigurisë në mbarë botën.
“Kim Jong Un rikonfirmoi se RPDC-ja (Republika Popullore Demokratike e Koresë) është e gatshme të mbështesë dhe të inkurajojë pa kushte të gjitha masat e ndërmarra nga lidershipi rus në lidhje me zgjidhjen e shkaqeve rrënjësore të krizës në Ukrainë”, thuhet në njoftimin e KCNA-së.
Lavrov kishte zhvilluar bisedime edhe me homologen e tij verikoreane, Choe Son Hui, në Wonsan, teksa ata publikuan një deklaratë të përbashkët ku premtohej mbështetje për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të vendeve përkatëse.
Të shtunën, mediat ruse kishin raportuar se Lavrovi i kishte përshkruar marrëdhëniet mes dy vendeve si “vëllazëri të pathyeshme”, duke e falënderuar Jong Un për trupat e dërguara në Rusi.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Koresë së Veriut janë thelluar tej mase gjatë dy viteve të fundit të luftës në Ukrainë, e cila filloi në shkurt të vitit 2022, me Fenianin zyrtar që ka dërguar mbi 10,000 trupa në mbështetje të fushatës ushtarake të Moskës.
Qeveria e Kim Jong Un ka premtuar se do të dërgojë gjithashtu rreth 6,000 inxhinierë dhe ndërtues ushtarakë për të ndihmuar në rindërtimin e rajonit rus të Kurskut.