Sport

Messi i gatshëm ta udhëheqë Parisin drejt triumfit në Champions

Foto: AP
 

Lionel Messi erdhi në Paris për të fituar përsëri Ligën e Kampionëve dhe të mërkurën ai përfundimisht do të jetë titullar për herë të parë për klubin e tij të ri, i cili e nis kampanjën në këtë garë me ndeshjen në udhëtim kundër kampionit në fuqi të Belgjikës, Club Brugget.

Kanë kaluar pesë javë që kur Messi u prezantua si lojtar i Paris Saint-Germainit dhe deklaroi se ishte në “vendin ideal” për të fituar çmimin më të madh në futbollin e klubeve të Evropës për herën e pestë në karrierë. Në më shumë se një muaj Messi është parë në fanellën e PSG-së për vetëm 24 minuta si zëvendësues në ndeshjen kampionale kundër Reimsit. 34-vjeçari pritej të bënte debutimin e tij të plotë për klubin në pronësi të Katarit fundjavën e kaluar, por në fund ai u pushua kundër Clermontit pasi u kthye nga detyra ndërkombëtare me Argjentinën. Sidoqoftë, trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, pritet që më në fund ta inkuadrojë fituesin e gjashtë “Topave të Artë” prej minutës së parë në stadiumin “Jan Breydel” kundër Brugget në duelin e Grupit A.