Sport

Tebas: Largimi i Messit nga Barcelona nuk ishte për arsye ekonomike

Kreu i La Ligas, Javier Tebas, ka thënë se largimi i Lionel Messit nga Barcelona është mjaft i dhimbshëm jo vetëm për klubin, por edhe për ligën. Ai ka thënë se Messi nuk e ka merituar një largim i tillë dhe se largimi nuk ishte për arsye ekonomike.

Te Barcelona kishin thënë se nuk ka qenë i mundur vazhdimi i kontratës me Messin, pasi do të rrezikohej mbijetesa financiare e klubit, ndërsa kishte pasur kritika edhe për La Ligan.

“Unë kam biseduar personalisht me presidentin e Barcelonës, nëpërmjet telefonit dhe po ashtu me bordin e tij të drejtorëve. U kërkua zgjidhje në rast se arsyeja ishte ekonomike. Nëse ka qenë për arsye tjetër, nuk mund ta vlerësoj këtë. Mendoj se stinorin e ardhshëm, kur Barcelona t’i bëjë publike shifrat, do të shihet nëse Messi ka mundur të qëndronte apo jo. Dhe ndonëse e respektoj vendimin e klubit, duhet të thuash gjërat siç janë. Nuk ishte vendim ekonomik. E di këtë sigurt”, ka thënë Tebas.

Ai ka thënë se largimi i Messit nga La Liga është i rëndë, por se pritej se do të ndodhte dikur kjo.

“Siç u largua Cristiano Ronaldo, Pep Guardiola apo Jose Mourinho. Ne e dinim se kjo do të ndodhte një ditë. Ne kishim fat të kemi dy futbollistët më të mirë në botë në dy klubet më të mira në botë dhe nga La Liga kemi mundur të shfrytëzojmë këtë për t’u rreshtuar para në botë. Ndoshta largimi i Messit ka qenë pak më i dhimbshëm, pasi personalisht e konsideroj atë më të mirin në histori dhe nuk e ka merituar të largohet ashtu, jo vetëm për Barcelonën, por edhe për La Ligan”, ka thënë Tebas për “Sport”.

Messi pasi nuk e vazhdoi kontratën me Barcelonën, firmosi kontratë me Paris Saint-Germainin.