Sport

Pavarësimi i futbollit kosovar – rrëfimi i Skënder Selmanit

E hapi derën e stadiumit të Flamurtarit pas gati 30 vjetësh. Këtë e bëri në prag të 30-vjetorit të pavarësimit të futbollit kosovar. Pikërisht në këtë arenë të futbollit në kryeqytet, ishte luajtur ndeshja e parë e futbollit të pavarur të Kosovës ndërmjet Flamurtarit dhe Prishtinës, në vitin 1991.

Për atë periudhë të lavdishme flet Skënder Selmani, anëtar i Kryesisë së parë të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kontribuues i madh i futbollit kosovar në fillim të viteve nëntëdhjeta.

“Jam i emocionuar, po vij këtu pas gati 30 vjetësh. Kur hyra te dera më janë mbushur sytë me lot. Erdha në fushën e futbollit ku filloi epoka e re e pavarësimit të futbollit, në këtë fushë dhe në të gjitha fushat e futbollit në Kosovë. Stadiumi ishte i mbushur, diku 4-5 mijë shikues. Ishte edhe një lloj frike që në ndeshjen e parë po futen policia vrastare serbe. Por kur fillon diçka e mirë, të prin edhe fati. Sytë ishin kah dera mos po futen egërsirat. Të fortit i përcjell edhe fati. Çdo gjë u pengonte atyre, por ne nuk u ndalëm dhe ia dolëm”, fillon rrëfimin emocional Selmani.

Selmani thotë për KOHËN se sakrifica ka qenë e madhe në atë kohë.

“Kanë ndodhur rrahje e vrasje. Ka nga lojtarët që janë vrarë. Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, por nuk jemi ndalë. Gjyqtarët më thoshin se ne po referojmë në vendin tonë dhe kjo na ka motivuar shumë, pasi unë iu kam thënë që duhet të ruhen, sepse rreziku ishte i madh. Edhe kafshatën e fundit e kemi dhënë dhe filluam që asgjë të mos kursenim. Ilaz Spahiun, referin, e kanë pasë rrahur shumë, por ashtu i rrahur dhe i rraskapitur ka shkuar dhe ka referuar. Ai iu ka thënë në shtëpi, kujdes fëmijët, sepse nuk e ka ditur a kthehet”, tregon Selmani.

Sipas tij, shumë sponsorë kanë shitur tokë e bagëti për ta mbajtur gjallë futbollin.

Selmani pohon se lojtarët dhe trajnerët janë paguar nga një pjesë e klubeve. Sipas tij, pagat kanë qenë modeste.

“Lirisht mund të them se deri në 60 për qind janë kompensuar lojtarët me shuma modeste nga sponsorët e klubeve, por për atë djersë që e kanë derdhur lojtarët kanë qenë edhe të mjaftueshme dhe ka qenë e mjaftueshme edhe nga ana e sponsorëve. Ka ndodhur që sponsori për ndeshjen tjetër ka shitur diçka, ka shitur tokë e bagëti dhe asnjë lojë nuk ka mbetur pa u realizuar. U fut policia dhe e ka ndërprerë lojën. Janë shpërndarë lojtarët, por më pas janë organizuar dhe e kanë zhvilluar ndeshjen”, thekson mitrovicasi.

Sponsorizuesit

Të gjitha projektet e FFK-së në atë kohë, sipas Selmanit, janë mbuluar nga tre persona.

“Të gjitha projektet financiare të Federatës së Futbollit të Kosovës në atë kohë janë realizuar nga unë, Skënder Selmani, nënkryetari Gafurr Kabashi dhe nga anëtari i kryesisë, Enver Nuredini. Kemi pasur edhe disa sponsorë që kanë ndihmuar me aq sa kanë mundur”.

Përmend emrat e disa personave, që sipas Selmanit kanë dhënë mijëra marka për futbollin e Kosovës. Por, sipas tij, ata janë harruar nga FFK-ja dhe shteti.

“Arbon Desku në Dukagjin. Po flas për 500 mijë marka e më shumë që i kanë dhënë për futbollin në atë kohë. Galani i Pejës, Bezi, FotoFari i Gjilanit, Shukri Sulejmani, Xhavit Alaj i Mitrovicës, Feka e Raifi, vëllazërit Hajra të Minatorit, vëllezërit Getoari nga Prizeni, Naim Ramadani në Besëlidhje, Kosova e Vushtrrisë, Bashkimi i Shipolit, Ertan Xhihiqi, Refik Hoti i Elektroekonomisë. Më vjen keq nëse e kam harru dikë pasi nuk po i mbaj mend të gjithë, por kontributi i tyre ka qenë i madh. Kanë shitur tokë e gjithçka për ta mbajtur gjallë futbollin. Për ta asnjëherë nuk u kujdes shteti dhe shumë prej tyre nuk janë dekoruar as me një mirënjohje”, ankohet Selmani.

Selmani, që ka qenë edhe nënkryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve, kërkon që shteti të mos e harrojë atë kohë të lavdishme. Brenga më e madhe e tij është se dikush po e shtrembëron historinë. Ai kërkon debat publik me autorët e disa monografive.

“Fatkeqësia më e madhe është se disa persona që kanë qenë në atë kohë kanë filluar edhe ta shtrembërojnë historinë. Me të kaluarën nuk jetohet, por nëse nuk e kujton të kaluarën ashtu siç duhet, kurrë të ardhme nuk do të kesh. Historia është shtrembëruar nga individë dhe për këtë çështje apeloj që të organizohet një debat me autorët e monografisë së fundit pasi jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë nuk pajtohen. Kemi fakte”, shtoi ai.

Selmani thotë se Fadil Vokrri i kishte nderuar me mirënjohje, kurse udhëheqësit e tanishëm, sipas tij, nuk i kanë ftuar asnjëherë anëtarët e Kryesisë së parë.

Selmani kritikon FFK-në.

“Ato zyre ku janë ata, u formuan në vitin 1991. Themelet janë hapur në atë vit. Atë nuk e kanë me tapi. Ose le të hapet një referendum dhe le ta shpallin mbretëri. A besoni që për 20 vjet pas luftës, ende në kafe nuk jemi ftuar. Janë ftuar disa që kanë qenë nga dita e parë të cilët edhe janë privilegjuar. Janë privilegjuar me poste e bileta disa, por ata nuk kanë qenë anëtarë të Kryesisë së parë. Kundër Agim Ademit dhe Eroll Salihut nuk kam asgjë personale, por reformat është dashur qysh moti të ndodhin. Duhet t’i bëjë të gjitha reformat Agim Ademi dhe të përshëndetet edhe ai”, deklaroi Selmani.

Momentet e rëndësishme

Sipas tij, për herë të parë Kosova ka aplikuar për pranim në UEFA në vitin 1992.

Ai tregon një rast se si Ardian Kozniku kishte rrezikuar karrierën e tij për ta veshur fanellën e Kosovës në ndeshjen kundër Shqipërisë më 1993.

“Ardian Kozniku erdhi dhe luajti për Kosovën në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Ai ishte pjesë e Kroacisë. Unë si kryetar i këshillit organizativ i dola përpara dhe e prita. I thashë mirë se ke ardhur dhe faleminderit që ke ardhur! I thashë qysh mund t'i kompensojmë harxhimet tuaja, dhe ai më tha, desha të them diçka tjetër por nuk po e them. Tha unë jam Ardian Kozniku i Kosovës e edhe 500 dënime nëse m’i japin unë jam i Kosovës”, tregon Selmani.

Selmani ka qenë kryetar i këshillit organizativ të dy ndeshjeve të para të Kosovës, në vitin 1992 kundër Shkëndijës, si dhe më 1993 kundër Shqipërisë. Ai zbulon se si kanë qarë të gjithë kur është intonuar himni kombëtar në Tetovë.

“Emocionet kanë qenë të mëdha, kanë qenë lot gëzimi. Është intonuar himni kombëtar dhe po ashtu edhe vetura e parë që i ka pri delegacionit drejt Maqedonisë ka qenë me flamur kombëtar. Nuk e di pse dikush i ka fshirë ato pamje. Në stadium kanë qenë 10 mijë shikues. Ka pasë tentime që Kosova të paraqitet si klub, por në fund ka luajtur si Kosovë”.

Ai tregon se në Shqipëri iu doli një problem, të cilin e evituan.

“Shqipëria luante me Irlandën pas tri ditësh. Erdhi si propozim që të luajmë me fanella të sponsorit si Kosova Reisen. Ne nuk u pajtuam, reagoi ashpër nënkryetari. Unë u stresova shumë dhe më dërguan në spital. Nuk pranuam dhe dolëm e luajtëm ndeshjen. Shqipëria luajti me fanella të bardha, kurse ne me fanella kuqezi".

Selmani pohon se në Tiranë para ndeshjes kundër Shqipërisë në vitin 1993, ekipin e Kosovës e kishte pritur komandanti Adem Jashari me shokë.

“Para stadiumit ‘Selman Stermasi’ në vitin 1993 në Tiranë, Adem Jashari dhe grupi i tij na kanë pritur dhe na kanë përgëzuar. Disa e kanë ditë e disa jo, por ishte një gëzim i madh”, deklaroi Selmani.

Selmani që ka mbajtur edhe pozitën e kryetarit të këshillit të garave në atë kohë, thotë se është kërcënuar me jetë pas shkrimeve që i ka bërë në profilin e tij në “Facebook”.

“Të gjitha kritikat që i kam dhënë, të gjitha me fakte e dokumente. Shkrimet i kam të postuara dhe janë të paraqitura. Më kanë kërcënuar dhe më kanë shkruar se edhe njëherë kritikon, kemi me t’i shti fëmijët në qese të bërllokut. Të gjitha i kam dhe i kam lajmëruar në organet e drejtësisë”, thekson Selmani.

"Dua t'i falënderoj të ndjerin, kryetarin Agim Byqyti që ka qenë emblemë e futbollit, nënkryetarët Gafurr Kabashin e Hamdi Tovërlanin, anëtarët e kryesisë, Bajram Bardhi, Xhafer Morina, Ferat Qorri, Bajram Zeqiri, Bedri Hamza, Jakup Berisha, Enver Nuredini dhe Beqir Aliu. Sekretar ka qenë Sejdi Mërkoja, por ai nuk ka qenë anëtarë i kryesisë. Ajet Shosholli ka qenë përzgjedhës i Kosovës, por jo anëtar i kryesisë, Shinasi Berisha ka qenë kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve, por jo anëtar i kryesisë. Këta tre persona kanë marrë pjesë në mbledhje, por nuk kanë qenë anëtarë të kryesisë. Ka qenë vendim i kryesisë që ata të jenë të pranishëm".

Në fund, Skënder Selmani thekson se do të dëshironte që organizimi i 30-vjetorit të pavarësimit të futbollit kosovar të bëhej nga kryesia e vjetër në bashkëpunim me FFK-në.

Selmani jeton në Gjermani, por është aktiv me shkrime në rrjete sociale sa u takon zhvillimeve të futbollit kosovar. Në raste ka pasur përplasje me drejtues të ndryshëm të futbollit.