Ish-kampioni i botës në not, Michael Andrew ka deklaruar se nuk do të pranojë vaksinë anti-COVID, vetëm pak javë para se të nisin Lojërat Olimpike.
Andrew, 22-vjeçar do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike me ekipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të garojë në 100 metra me gjoks, 200 metra përzierje individuale dhe 50 metra stil i lirë.
“Arsyeja ime pse refuzoj ta bëjë këtë është se nuk dua të vë asgjë në trupin tim për të cilën nuk e di se si do të reagojë trupi im”, ka thënë Andrew në një konferencë për media.
“Si një atlet në nivelin elitar, çdo gjë që bëjmë është e llogaritur mirë. Nuk dua ta humbasë asnjë ditë në ciklet e trajnimit dhe veçanërisht në prova, pasi nëse e merr vaksinë duhet llogaritur që mund të më duhet pushim”, ka sqaruar Andrew.
Ish-kampioni më vonë ka deklaruar se nuk do të vaksinohet as në të ardhmen, duke shtuar se kjo është diçka më shumë se çështje kohe.
Atletëve olimpikë nuk u kërkohet që të jenë të vaksinuar për të udhëtuar për në Tokyo, mirëpo shteti i Japonisë ka deklaruar këtë javë gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së infektimeve me COVID-19. Si pasojë e kësaj, organizatorët e Lojërave kanë vendosur që të ndalojë spektatorët në këtë ngjarje e cila do të zhvillohet nga 23 korrik e deri më 8 gusht.