Zgjedhja për të mos u vaksinuar kundër Covid-19 ishte një vendim prej 100 milionë eurosh, thotë fundori i ekipit Brooklyn Nets, Kyrie Irving. Sezonin e kaluar Irving, 30-vjeçar, nuk mundi të luante në ndeshjet në shtëpi të Brooklynit deri në mars, për shkak të ndalimit të New Yorkut për personat e pavaksinuar në ambiente të mbyllura.
Paraqitja e tij në ndeshjet jashtë varej gjithashtu nga kërkesat e shteteve të ndryshme për vaksinat. Ylli i NBA-së, Irving, thotë se vendimi për të mos u vaksinuar i kushtoi atij me mosrinovim të kontratës katërvjeçare.
“Unë hoqa dorë nga katër vjet, 100 milionë euro, pasi vendosa të mos vaksinohesha dhe ky ishte vendimi im. Unë rrezikova ta humbas vendin e punës pasi i kushtova rëndësi rrethanës së jetës reale. Madje, me vendim që të mos vaksinohesha rrezikova edhe të ardhmen time në NBA”, ka pranuar Irving.
Sezoni i ri i NBA-së fillon më 18 tetor dhe Irving do të luajë për Brooklyn Nets me një kontratë opsionale në vlerë prej 36 milionë eurosh, por që mund të mbetet lojtar i lirë verën e ardhshme. Ai priste që kontratën e re katërvjeçare ta firmoste vitin e shkuar, përpara se të kuptonte se nuk do t’i ofrohej një gjë e tillë për shkak të vendimit që të mos vaksinohet. Megjithatë ai u befasua kur mori vesh arsyen që nuk do t’i ofrohet kontrata e re.
“Ne pothuajse e kishim kryer marrëveshjen një vit më herët dhe vetëm prisja të hidhja firmën. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të statusit tim të vaksinimit. Kështu që kuptova vendimin e klubit dhe duhej të pajtohesha. Nuk ishte lehtë të kapërdihej, por isha i detyruar sepse vendimi për vaksinën ishte i imi”, ka thënë Irving. “Ishte si një ultimatum për mua, por nuk doja të vaksinohesha dhe kështu humba shumë”.
Sikurse Irving nuk mendon menaxheri përgjithshëm i Netsave, Sean Marks. Ai thotë se negociatat për kontratën e re stagnuan kur pandemia filloi. Ai insiston se Irvingut nuk iu kërkua të vaksinohej për t’u shpërblyer me kontratën e re.
“Askujt nuk i është dhënë asnjë ultimatum. Po ashtu nuk e kam ndërmend t’i detyroj lojtarët të vaksinohen pasi ky është vendim tërësisht personal. Para dy vjetëve ne i nisëm negociatat, por kur u paraqit vaksinimi e kishim parasysh se do të kishte ndikim në ndeshjet që do t’i luanim në shtëpi dhe Irving mungonte. Aty edhe i stopuam negociatat”, thotë Marks.