Sport

Vëllezërit Bajoku - të ndarë në kategori, por me synime të njëjta

Shpejtim e Bashkim Bajoku kanë fituar disa medalje, por ato që i pranuan të dielën, e që i mbanin edhe të mërkurën në kraharor, janë më të veçanta. Boksierët vëllezër të klubit prishtinas Gollaku, në fundjavë, fituan medalje të arta në Kampionatin Ballkanik që u organizua në Zagreb të Kroacisë. Shpejtimi e fitoi të artën në kategorinë deri 64 kilogramë, ndërsa Bashkimi në kategorinë deri 52 kilogramë.

Ndarja e vëllezërve bëhet vetëm në kategori, ndërsa gjithë rrugëtimin e tyre në boks e kanë bërë bashkë. Edhe synimet për të ardhmen i kanë të njëjta – t’i sjellin Kosovës medalje edhe nga kampionatet evropiane dhe botërore. E dinë se për të arritur majat u duhet goxha punë. Por zotohen se medaljet e fituara të dielën do të jenë motiv për punë dhe përkushtim më të madh.

“Karrierën e kemi nisur në moshë të hershme, kemi qenë të vegjël. Vëllai i madh nisi me boks, kurse ne kemi shkuar fshehurazi, sepse nuk na kanë lënë në familje. Pastaj, më nuk e kemi ndalur dhe kemi gjetur përkrahjen e familjes të cilën e kemi edhe sot. Pasi fillova unë e mora edhe Shpejtimin dhe më nuk jemi ndarë. Shpejtimi ka dalë më herët në meçe e pastaj edhe unë e kam pritur ditën time, nuk jam ndalur”, ka thënë Bashkim Bajoku.

Shpejtimi është i madhi prej dy vëllezërve Bajoku. Por, është Bashkimi që ka nisur me boks, shtatë vjet më parë. Ai më pas e mori me vete vëllain. Vëllezërit Bajoku janë nga Bardhoshi.

“Njëherë filloi Bashkimi e pastaj edhe unë lakmova dhe fillova, na eci mirë. Kemi dalë bashkë gjithë kohën, kemi vrapuar dhe gjithçka tjetër. Ky njëherë nuk ka pasur peshë për të ardhur bashkë me mua në gara më të mëdha. Jam i gëzuar që po shkojmë bashkë gjithandej dhe duke e përfaqësuar shtetin tonë”, ka theksuar Shpejtimi.

Edhe të mërkurën vëllezërit Bajoku erdhën bashkë në sallën e klubit Gollaku, që ndodhet në Prishtinë, ndërsa trajner e kanë Besim Brahimin. Brahimi tregon për vullnetin që kanë pasur qysh si fëmijë. Ai insiston se vëllezërit Bajoku janë shembull për shumëçka, ndërsa pret medalje të tjera të mëdha. Por, Brahimi pret të ketë mbështetje për t’i shtyrë para. Thotë se kanë potencial të arrijnë suksese edhe më të mëdha. Garën e radhës e kanë në Evropianin që mbahet pas një muaji.

“Me pak fat në short, mund të sjellin medalje nga ky evropian. Herën e fundit Bashkimi ka boksuar me katër herë kampionin e Evropës dhe dy herë të Botës në kategorinë e tij. Janë djem trima në ring dhe djem me setër. Janë djem të urtë. Bëjnë stërvitje. Kushtet në familje nuk i kanë të mira dhe këta djem duhet t'i ketë parasysh shteti. Nuk mund t'u them më vonë që të qëndrojnë këtu duke u mbështetur me nga 150 euro në muaj e shtete të tjera t'ua ofrojnë pasaportat dhe t'u ofrojnë nga 5000 apo 10 mijë euro në muaj. Prandaj, pres që këto asete të ruhen edhe nga shteti, duke i mbështetur edhe financiarisht”, është shprehur Brahimi.

Gara regjionale në Zagreb ishte për seniorë, ndërsa garuan boksierë nga dhjetë shtete. Ishin boksierët më të mirë nga Ballkani dhe suksesi i vëllezërve Bajoku vlerësohet me shumë peshë.

“Këtë medalje e kam pritur qe një kohë, ku para dy vjetësh patëm marrë pjesë në kampionatin ballkanik në Turqi. Unë e kam zënë vendin e tretë, kurse vëllai Shpejtimi vendin e dytë. Pritjet ishin që të dalim të parët edhe në Turqi, por fati nuk ishte. Ka qenë për mua edhe meçi i parë për të rritur. Kemi vazhduar pa u ndalur, nuk jemi dorëzuar dhe e kemi pritur se do të vijë edhe dita jonë”, ka thënë Bashkim Bajoku.

Njëjtë thotë edhe Shpejtimi. Ai vlerëson se nuk janë larg nivelit të boksierëve të shteteve të tjera evropiane.

“Është medalje e rëndësishme para kampionatit evropian që e kemi në Itali, prej ku presim të kthehemi me medalje. Besoj se do të kthehemi me medalje. Nuk jemi larg

shteteve të tjera, jemi afër t'i arrijmë boksierët e nivelit të lartë”, insiston Shpejtimi.

Bashkimi e Shpejtimi thonë se kanë ngritje në karrierë.

Ëndrra më e madhe e tyre është që bashkë të arrijnë normë për Lojërat Olimpike të vitit 2024.

“Ëndrra ime është t'i sjellim Kosovës edhe medalje nga Olimpiada. Këtë vit nuk kam mundur të marr pjesë shkaku i moshës. Por, në 2024 do të synoj për të qenë kampion olimpik”, ka theksuar Bashkimi, kurse Shpejtimi shkon edhe më larg. Ai mendon që një ditë të boksojë edhe në profesionalizëm.

“Ëndrra ime është të bëhem kampion i Evropës dhe të shkoj në Olimpiadë, ta përfaqësoj Kosovën dhe t'i siguroj medalje të artë dhe nëse do t'ia dal, pastaj dëshiroj ta vazhdoj edhe në profesionalizëm”, ka thënë Shpejtimi.

Të kënaqur me suksesin e vëllezërve Bajoku janë shprehur edhe në Federatën e Boksit të Kosovës.