Sport

Dallku synon ta “mbrojë” Kupën, tani si trajner i Dukagjinit

Armend Dallku ka dhënë kontribut të madh për skuadrën e Prishtinës. Ka luajtur 151 ndeshje me fanellën “bardhekaltër”. Fitoi trofe si futbollist i Prishtinës, por edhe si trajner më pas, në vitin e parë në zejen e re. Luajti në gara evropiane me “bardhekaltrit”, por një fat të tillë nuk e pati edhe si trajner i skuadrës. Shkaku i situatës me pandeminë e koronavirusit, Prishtina nuk luajti fare në ndeshjet parakualifikuese të Ligës së Evropës dhe u eliminua me rezultat zyrtar, një vit më parë.

Dallku mori drejtimin e skuadrës së Prishtinës në fillim të edicionit 2019/20. Ia siguroi kryeqytetasve daljen në Evropë falë triumfit në Kupën e Kosovës. Në finale Prishtina mposhti Ballkanin, 1:0. Ndeshja ishte luajtur në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në të njëjtin stadium Dallku do të kthehet në muajin maj për një tjetër finale, ndërsa kujtimet e tij nga finalja e kaluar ende janë të freskëta. Dukagjini i Klinës, që tani udhëhiqet nga Dallku, do të luajë në finale kundër Llapit.

“Rikthimi në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ është emocion më vete, mirëpo kjo është puna jonë. Shpresoj që të rikthehem ashtu siç e lash, me fitore të Kupës”, ka thënë të enjten Dallku për KOHËN.

Arritja deri në finale të Kupës së Kosovës është sukses për Dukagjinin e Dallkun. Por ai nuk mban meritat vetëm për vete. Me Dallkun te Dukagjini kaloi edhe ndihmësi i parë, Artan Luzi, që ishte edhe te Prishtina. Ndërkohë në shtabin teknik të vushtrriasit u bashkua edhe Agon Ramadani, si ndihmës tjetër. Derisa Luzi është ndihmës i Dallkut prejse ish-reprezentuesi i Shqipërisë ka nisur karrierën e trajnerit, Ramadani te “bardhekaltrit” ka punuar me grupmoshën U13 për një vit e gjysmë.

“Jam me fat që kam profesionistë të vërtetë afër vetes, duke filluar nga profesor Artan Luzi, një punëtor i madh e i palodhur. Gjithashtu edhe Agon Ramadani, një djalë i ri me shumë dëshirë për punë e një profesionist i madh. Puna në grup i ka dhënë, po i jep dhe do t’i japë frytet”, theksoi Dallku.

Te skuadra e Dukagjinit janë dy futbollistë, të cilët e kanë shijen e triumfit në Kupë. Sulmuesit Labinot Osmani dhe Mark Milicaj në të kaluarën e kanë fituar Kupën me Kosovën e Vushtrrisë përkatësisht Feronikelin.

Dallku nuk e sheh forcën e Dukagjinit në individë. Sipas tij, është grupi ai i cili i ka meritat.

“Meritat janë të të gjithëve. Në qoftë se klubi, stafi dhe lojtarët janë në një linjë, suksesi nuk do të mungojë. Jemi të kënaqur në këtë aspekt sepse klubi ka bërë maksimumin, sidomos drejtori Fabian Veseli. Kemi punuar shumë në të gjitha drejtimet, pa u kursyer. Futbollistët janë kryesorët dhe jemi të kënaqur me angazhimin e tyre. Ne gjithmonë kërkojmë të përmirësohemi në të gjitha drejtimet”, deklaroi ish-mbrojtësi i djathtë.

Synim kryesor i trajnerit vushtrrias për këtë edicion ka qenë që skuadra e Dukagjinit të rikthehet në Superligë. Sa i takon garës për Kupë, në stafin e klinasve është thënë vazhdimisht që do të luftohet deri në fund pavarësisht kundërshtarit, por gjithmonë duke i dhënë përparësi kampionatit.

“Ka qenë e vështirë në Kupë, sepse kemi pasur edhe në Ligën e Parë ndeshje të ngjeshura. Jam shumë i lumtur që djemtë e kanë bërë maksimumin për ta çuar ekipin në finale. Finale interesante pasi pas një kohe të gjatë përballen dy ekipe nga liga të ndryshme. Nëse e fitojmë kampionatin në grupin tonë, finalja është qershia mbi tortë. Do të luajmë futboll pa asnjë presion, të kënaqshëm, e të kënaqemi edhe ne vetë si grup. Do ta bëjmë maksimumin për ta fituar finalen”, tha Dallku duke e konfirmuar besimin e madh te lojtarët, e duke i vlerësuar ata si heronjtë e qytetit të Klinës.

Dukagjini deri në finale shkoi duke eliminuar skuadra si 2 Korriku, Drenica dhe së fundi Istogu. Me Istogun e luajti vetëm një lojë, pasi istogasit bënë lëshim duke futur në lojë një futbollist pa të drejtë loje për shkak të kartonëve.

Dallku në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka kujtime të shumta. Atë do ta përcjellë një kujtim tërë jetën.

“Do ta veçoja ndeshjen e parë si trajner, kur fituam me Prishtinën ndaj Gjilanit, 2:1. Do të jetë përgjithmonë ndeshja më e veçantë për mua, pavarësisht se nuk ishte ndonjë ndeshje vendimtare për ndonjë trofe”.

Ndeshja me Llapin mund të jetë tjetër kujtim i rëndësishëm për trajnerin perspektiv.