Sport

Flamurtari mposht Dardanën dhe rrëmben kreun e tabelës përkohësisht

Flamurtari mposht Dardanën dhe rrëmben kreun e tabelës përkohësisht
 

Skuadra e Flamurtarit ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive për të mbajtur hapin për pozitën e parë në tabelë, që do t’i mundësojë kthimin e menjëhershëm në Superligën e Kosovës në futboll sezonin tjetër. Flamurtari, të shtunën e mposhti skuadrën e Dardanës me rezultatin e ngushtë 2:1. Arbnor Zeqiri (5’) e Mërgim Boshnjaku (56’) shënuan për Flamurtarin derisa golin e vetëm për skuadrën mysafire, e realizoi Almedin Murati (33’). Kjo ndeshje i takoi xhiros së 23-të në Ligën e Parë të Kosovës – Grupi B dhe u transmetua ekskluzivisht në KTV. Për Flamurtarin, kjo është fitorja e tretë rresht derisa ndeshja e pestë pa humbje. Aktualisht, Flamurtari është lider në tabelë me 40 pikë, sa i ka edhe Ulpiana në pozitën e dytë, por që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Ulpiana, të dielën do të jetë mysafire e skuadrës së Ferizajt. Trajneri i Flamurtarit, Jeton Mehmeti ka thënë pas ndeshjes së ekipit të tij i mbeten edhe katër ndeshje për të synuar kthimin në elitën e futbollit kosovar.

“Ishte ndeshje e vështirë pavarësisht që kundërshtari nuk ishte në objektiva por që luajti pa presion në fushë. Neve na është rritur presioni dhe na është rritur ngarkesa për inkuadrim në Superligë. Por, lojtarët iu përgjigjën pozitivisht detyrave dhe e fituan ndeshjen, pavarësisht që ishte shumë e vështirë. Tash nuk ka kundërshtarë të lehtë dhe na mbeten katër ndeshje, katër beteja për inkuadrim në Superligë ku lufta është shumë e ashpër”, është shprehur Mehmeti.