Sport

Beqiri e Ismajli ndajnë drejtësi për “Euro 2022”

Besar Beqiri dhe Besart Ismajli do të udhëtojnë të dielën për në Slloveni, për të ndarë drejtësi në një ndeshje parakualifikuese për Kampionatin Evropian të futsallit, “Euro 2022”.

Dyshja Beqiri e Ismajli janë të deleguar për duelin Sllovenia – Letonia, që zhvillohet të hënën nga ora 18:30.

Është duel i rëndësishëm që siguron një vend në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Amsterdam e Groningen të Holandës, nga 19 janari deri më 6 shkurt 2022.

“Një muaj më herët ishim në ndeshjen Polonia-Norvegjia. Pas paraqitjeve të mira dhe ngritjes në listë, pra nga e treta në të dytën, vijnë ndeshjet më të rëndësishme siç janë kualifikimet për Evropian. Ngritja në listë është si rezultat i paraqitjeve të mira në ndarjen e drejtësisë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve”, ka thënë të shtunën për KOHËN gjyqtari i futsallit, Besar Beqiri, që më parë kishte ndarë drejtësi në ndeshjet preliminare të “Championsit”, njësoj si Ismajli.

Si gjyqtarë i parë e i dytë, Beqiri e Ismajli ishin deleguar edhe muajin e kaluar. Që të dy janë gjyqtarë me stemë të FIFA-s.