Roma e ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Evropës. Të enjten, të drejtuarit e Paulo Fonsecas mposhtën Ajaxin e Erik Ten Hag me rezultatin 2:1.
Gjiganti holandez, Ajaxi, kaloi i pari në avantazh në stadiumin “Johan Cruijff Arena”. Davy Klaassen shënoi në minutën e 39-të.
Megjithatë, Roma u kthye në lojë në pjesën e dytë. Rezultatin e barazoi i talentuari Lorenzo Pellegrini, që shënoi nga gjuajtja e lirë, por me një gabim të portierit holandez, Kjell Scherpen.
Ishte mbrojtësi Ibanez ai i cili vulosi rezultatin final të takimit. Mbrojtësi i Romës shënoi për mrekulli tre minuta para fundit.
Dueli kthyes që luhet pas një jave, do ta përcaktojë gjysmëfinalistin e këtij takimi.
Te Roma mungoi Marash Kumbulla, që është i dëmtuar në gju.