Sport

Futbollistet e Kosovës fitojnë miqësoren e parë me Maqedoninë e Veriut

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave, e ka fituar ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë së Veriut.

Në ndeshjen e luajtur në Shkup, Kosova ka triumfuar me rezultatin 3:1. Donjeta Halili, Fleta Musa dhe Feride Kastrati, i kanë shënuar golat për “Dardanet”.

“Ishte një fitore plotësisht e merituar edhe pse më shumë me lojtare të ligës tonë, si dhe shfrytëzuam gjashtë zëvendësimet e mundshme. Në vazhdimësi, e ruajtëm kontinuitetin e lojës tonë”, ka thënë përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija pas ndeshjes.

“Gjithashtu, e shfrytëzuam mundësinë për t’i provuar disa lojtare të reja por pa e humbur disiplinën dhe seriozitetin në lojë”.

Kosova ka disa që është grumbulluar në Shkup për stërvitje dhe ndeshje miqësore. Kjo ishte vetëm miqësorja e parë e Kosovës kundër Maqedonisë së Veriut pasi të dielën, do ta luajnë edhe një duel tjetër miqësor.