Një ditë para fillimit të turneut “Final 8” të Ligës Unike në basketboll janë shfaqur telashe jo të vogla. Të hënën pasdite Teuta e Durrësit njoftoi për tërheqjen nga turneu që i paraprin Ligës së përbashkët të basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë.
Këtë vendim klubi durrsak e mori vetëm pak ditë pasi u mësuan çiftet çerekfinale të këtij turneu, i cili nis të martën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Në njoftimin e saj, Teuta ka potencuar se nuk e konfirmon pjesëmarrjen në Ligën Unike. Madje drejtuesit e ekipit nga qyteti bregdetar kanë thënë se drejtuesit e Ligës Unike nuk janë konsultuar fare me ta dhe gjithçka kanë vendosur shumë shpejt.
Teutës me short i ishte caktuar përballja me Rahovecin në çerekfinale, që, sipas orarit do të duhej të luhej të martën prej orës 19:00. Mirëpo, pas tërheqjes së Teutës, Rahoveci është kualifikuar direkt në gjysmëfinale, pa lojë.
Në njoftimin e Teutës thuhet se nxitimi për ta organizuar këtë turne është i çuditshëm pasi vjen në një kohë shumë të papërshtatshme duke pasur parasysh se kampionati i Shqipërisë dhe ai i Kosovës në basketboll janë futur tashmë në fazën finale. Në të vërtetë skuadrat kosovare në fundjavë patën ndeshje shumë të forta kampionale dhe ndeshje vendimtare do të kenë fundjavën e ardhshme.
Krerët e Ligës Unike të premten njoftuan për nisjen e Ligës në formë turneu. Të njëjtën ditë publikuan edhe orarin e ndeshjeve.
Faza çerekfinale do të luhet në Kosovë, saktësisht në Rahovec të martën e të mërkurën, derisa gjysmëfinalet, finalja dhe ndeshja për vendin e tretë është thënë se do të zhvillohen në Durrës më 13 e 14 prill.
Ekipet pjesëmarrëse në këtë turne janë Sigal Prishtina, Peja, Golden Eagle Ylli e Rahoveci nga Kosova derisa Shqipërinë tani do ta përfaqësojnë Vllaznia, GogaBasket e Tirana.
“Ditën e premte, më datë 2 prill, në orën 11:30 , morëm lajmin rrufe për hedhjen e shortit të Ligës Unike, që sipas njoftimit zyrtar të ardhur po në të njëjtën ditë, do të hidhej në orën 14:00 dhe kompeticioni do të zhvillohej më datat 6 dhe 7 prill. Na çudit ky nxitim për zhvillimin e kësaj lige, në një kohë ku kampionatet respektive kanë hyrë në fazën kulmore dhe të gjitha ekipet janë të fokusuara në objektivat e tyre sezonale, në të cilët Liga Unike nuk ishte përfshirë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e KB Teutës. “Në kuadrin e kësaj situate, Teuta Basket ka mbledhur stafin drejtues dhe nga debatet e zhvilluara në frymë konstruktive, konstatojmë se ne kuadrin e këtyre befasive e kemi të pamundur për të ekonomizuar potencialet e ekipit në favor të evenimenteve shqiptare të basketbollit, të cilat përpos lëngatës pandemike duhet të përballojnë edhe situata të tillë që nuk po e kuptojmë ku e kanë burimin”.
Madje vendimin për fillimin e Ligës Unike në këtë kohë të papërshtatshme te Teuta e kanë quajtur arbitrar dhe për të cilin drejtuesit nuk janë konsultuar fare me ekipet pjesëmarrëse. Durrsakët edhe shortin e kanë quajtur të dyshimtë dhe kanë mbetur të habitur me faktin që seria e ndeshjeve finale të mos zhvillohet në palestrën “Feti Borova” në Tiranë, por në Durrës.
“Të nderuar drejtues, një sjellje e tillë me vendime arbitrare të pakonsultuara më parë me ekipet pjesëmarrëse vë në dyshim seriozisht edhe zhvillimin e evenimenteve të basketbollit shqiptar”, vazhdon njoftimi i Teutës. “Nisur nga këto arsyetime dhe situata e krijuar, shoqata Teuta nuk e konfirmon pjesëmarrjen në Ligën Unike. Shpresojmë që kjo përgjigje të shërbejë si një reflektim për zyrtarët e ligës dhe FSHB-së, që të jenë më seriozë në organizimin e të tilla evenimenteve. Është detyrë e këtyre institucioneve për të respektuar kontributin e ekipeve pjesëmarrëse si dhe mos të marrin vendime pa u konsultuar me të gjithë aktorët që janë promotorë të zhvillimit të basketbollit në Shqipëri e Kosovë”.
Pas tërheqjes së Teutës në momentin e fundit, të martën do të zhvillohet vetëm një ndeshje çerekfinale, ajo ndërmjet Vllaznisë së Shkodrës dhe Pejës, e cila nis në orën 16:00. Ndërkohë të mërkurën janë në program dy çerekfinalet e tjera, Goga Basket – Tirana (16:00) dhe G.E. Ylli – S. Prishtina (19:00).
“Klubi i Teutës nga Durrësi ka njoftuar zyrtarët e Ligës Unike se në pamundësi për t’u organizuar për një kohë të shkurtër, nuk do të marrë pjesë në ‘Final 8’. Pas tërheqjes së Teutës, skuadra e Rahovecit do të kualifikohet në gjysmëfinale, ku e pret fituesin e përballjes Peja - Vllaznia”, thuhej në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Ligës Unike.
Ligën Unike e kanë përcjellë telashe prejse është themeluar. U nevojitën gati tetë muaj prej nënshkrimit të marrëveshjes, për t’u konfirmuar fillimi i garave dhe atë vetëm në formë të turneut. Më 16 shtator të vitit të shkuar krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) në Tiranë e firmosën marrëveshjen, siç e quajtën historike, për themelimin e ligës së përbashkët. Me gjithë entuziazmin e madh, Liga Unike nuk startoi në muajin tetor ashtu siç ishte paralajmëruar. Kjo ndodhi për shkak se në Shqipëri, për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit, ishin ndaluar të gjitha aktivitetet e sporteve me dorë dhe ishin mbyllur palestrat.
Edhe te skuadra e Pejës që do të bëjë hapjen e turneut të Ligës Unike kundër Vllaznisë së Shkodrës, kanë pranuar se nisja e kësaj gare ka ardhur në një kohë të papërshtatshme. Por kanë shtuar se janë të gatshëm për t’u paraqitur.
“Është e mirëseardhur edhe pse në një kohë të papërshtatshme duke pasur parasysh ngarkesat dhe fundin e sezonit. Megjithatë besoj që jemi të gatshëm. Shpresoj në një paraqitje të mirë të ekipit në ndeshjen e parë të Ligës Unike”, tha shkurt trajneri i Pejës, Dragan Radoviq.