Sport

Ylli i mbrojtjes së Spanjës pritet të mungojë ndaj Kosovës

Ylli i mbrojtjes së Villarrealit dhe Përfaqësueses së Spanjës, Pau Torres, pritet të mungojë në duelin ndaj Kosovës që zhvillohet më 31 mars në Sevilla. Kjo ndeshje do të zhvillohet në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Skuadra e Villarrealit e ka konfirmuar lajmin për lëndimin e tij, ndërsa gazeta spanjolle “Marca” beson se ai mund të jetë jashtë fushës për të paktën tri javë.

24-vjeçari nuk e ka humbur asnjë minutë me skuadrën e Villarrealit këtë edicion, derisa te Spanja është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm në repartin e mbrojtjes.

Debutoi me Spanjën më 15 nëntor të vitit 2019-të, ndërsa i ka kompletuar të gjashtë ndeshjet e Përfaqësueses së tij në Ligën A të Kombeve.