Ka plot shifra “interesante” në raportin zyrtar të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për sponsorizimet e bëra në sport gjatë vitit 2023.
Nga marrëveshjet e sponsorizimit sporti vjet ka përfituar plot 15 milionë e 674 mijë euro. Në vitin 2022 shifra ishte rreth 11 milionë.
Me 15,6 milionë vetëm nga sponsorizimi, sporti kosovar ka përkrahje si në pak vende të tjera të regjionit, por ndoshta edhe më gjerë. Megjithatë, ka dyshime që një hise jo e vogël e kësaj shifre nuk përfundon te sportistët, sidomos ata të vendit. Ka dyshime gjithnjë e më të mëdha për mundësinë e keqpërdorimit të këtij ligji dhe thirrje që ai të plotësohet dhe që kontrolli të jetë më i madh.
Në futboll, sipas raportit zyrtar të MKRS-së, kanë përfunduar mbi 6 milionë euro. Fare pranë është basketbolli me mbi 5,8 milionë, ndërsa vetëm tri klube, Peja, Trepça e Sigal Prishtina, kanë përfituar mbi 3,5 milionë euro.
I treti prej sporteve, sa u takon përfitimeve nga sponsorizimi, është volejbolli. Në klube dhe në Federatë të volejbollit kanë përfunduar pak mbi 1 milion euro.
Prej klubeve të volejbollit dallohet KV Peja për të hyrat nga sponsorizimi gjatë vitit të kaluar. Klubi pejan, sipas raportit zyrtar, kishte të hyra prej plot 262 mijë euro nga marrëveshjet e sponsorizimit. Është kjo një shifër goxha e lartë për volejbollin.
Klubet e tjera të volejbollit kanë përfituar dukshëm më pak. KV Ferizaj është i dyti me 133 mijë e 330 euro.
Për Fer Volley janë ndarë 63 mijë e 500 euro nga sponsorizimet, ndërsa Gjinoci përfitoi 55 mijë euro si klub. Shkolla e volejbollit me emër të njëjtë përfitoi 19 mijë euro. Drita në konkurrencë të femrave kishte marrëveshje me vlerë prej 45 mijë e 500 euro, ndërsa Drita te meshkujt 28 mijë euro. Theranda Hidroterm ka përfituar në bazë të ligjit për sponsorizim 29 mijë euro. KV Skenderaj arkëtoi 50 mijë euro.
Klubet e hendbollit kanë shfaqur ndjeshëm më pak aftësi për të vjelë mjete financiare nga sponsorizimi. Derisa në volejboll janë lëshuar 168 vërtetime në bazë të të cilave realizohen marrëveshjet e sponsorizimit, në hendboll numri i marrëveshjeve ishte 117. Në futboll nga MKRS-ja janë lëshuar 415 vërtetime, ndërsa në basketboll 374.
752 mijë euro kanë përfunduar në hendboll në bazë të marrëveshjeve të sponsorizimit. Dhe lista zyrtare “prezanton” faktin befasues që më së shumti prej klubeve ka përfituar ai i femrave, KHF Verona. Është ky një klub nga Obiliqi që garon në kategorinë e dytë të hendbollit kosovar. Stinorin vjeshtor Verona e ka përfunduar në pozitën e dytë, pas Vjosës. Në bazë të hyrave që kishte, e që paraqiten në raportin zyrtar, Verona për Kosovë do të duhej të ishte “superfuqi” e hendbollit. Për të fituar trofe në hendbollin kosovar shpesh mjaftojnë edhe më pak se 100 mijë euro në vit.
Vjet tre trofetë i fitoi KHF Istogu, që sipas të dhënave zyrtare ka pasur marrëveshje sponsorizimi prej 93 mijë euro. Kampioni vjeshtor, KHF Ferizaj, ka realizuar të hyra prej 85 mijë e 500 euro nga sponsorizimet. KHF Samadrexha, klubi që tashmë ka në përbërje disa lojtare të huaja, nga sponsorizimet ka përfituar 38 mijë euro. Keq nuk ka mbetur klubi gjakovar i hendbollisteve, Shqiponja, me 83 mijë euro.
Te hendbollistët është dalluar Kastrioti i Ferizajt me 85 mijë e 200 euro. Besa Famgas, që ka dominuar hendbollin kosovar për kohë të gjatë, nuk ka të evidentuar ndonjë marrëveshje. Rahoveci, kampioni vjeshtor, ka të evidentuara të hyra prej 10 mijë e 300 euro nga sponsorizimi.
Pra, askush në hendboll nuk ishte si Verona, që sipas të dhënave zyrtare një marrëveshje e ka prej 120 mijë eurosh e një tjetër prej 25 mijë eurosh.
Të hyrat e disa prej klubeve të volejbollit dhe hendbollit nga sponsorizimi (2023)
KV Peja: 262,000 euro
KVF Drita: 45,500
KV Drita: 28,000
KVF Fer Volley: 63,500
KVF Skenderaj: 50,000
KVF Gjinoci: (si klub) 55,000; si shkollë 19,000
KV Ferizaj: 133,300
KV Theranda Hidroterm: 29,000
KHF Shqiponja: 83,000 euro
KHF Istogu: 93,000
KHF Samadrexha: 38,000
KHF Verona: 154,000
KH Kastrioti: 85,200
KH Rahoveci: 10,300
KHF Ferizaj: 85,500