Sport

Prizreni fiton thellë ndaj Yllit në Suharekë

Ponte Prizreni ka fituar derbin e kreut të renditjes së Superligës ndaj Golden Eagle Yllit me rezultatin 92:76.

Me këtë fitore ekipi i udhëhequr nga trajneri Arbnor Rifati prin në renditjen tabelore me 37 pikë të tubuara.

Çereku i parë i ndeshjes u fitua nga mysafirët me rezultatin 23:19. Edhe periudha e dytë ishte e baraspeshuar me të dyja ekipet që shënonin nga secila pozitë. Prizrenasit arritën që në pushim të shkonin me tri pikë dallim 44:41.

Çereku i tretë ishte vendimtar. Skuadra e Prizrenit, fal efikasitetit dhe mbrojtës së fortë të aplikuar arriti ta fitojë këtë çerek 25:15, për të hyrë në periudhën e fundit me epërsi prej 14 pikëve dallim 67:53.

Epërsinë e lartë të krijuar arritën ta menaxhonin mirë në 10-të minutat e fundit për të shënuar fitore me rezultatin 92:76.

Tek Prizreni me lojë të mirë u dallua Urim Zenelaj, që ndeshjen e mbylli me dyshifror të dyfishtë prej 18 pikëve dhe 14 kërcimeve, i ndihmuar edhe nga Kwame Vaughn, që shtoi 23 pikë shtatë kërcime e katër asistime.

Tek Ylli u dallua Erjon Kastrati me 22 pikë, pesë kërcime dhe katër asistime.