Klubi i futbollit Besa paralajmëroi ndryshime të mëdha në verën e vitit të kaluar, përkatësisht në prag të edicionit aktual, 2020/2021. Ndryshimet edhe i bëri.
Besa solli disa lojtarë të huaj e bashkë me ta edhe një staf trajnerësh të huaj në krye me francezin, Jerome Klein, që u largua pa dhënë asnjë intervistë për mediumet e vendit, pos prononcimeve të zakonshme pas ndeshjes.
Bashkë me trajnerin Klein janë larguar edhe disa futbollistë të huaj, që po ashtu nuk u lejuan të flasin për media. Për planet dhe synimet e këtij edicioni nuk folën asnjëherë as kryetari e as lojtarët vendorë. Përforcimet dhe gjithçka tjetër u raportuan nëpërmjet faqes në “facebook”. Por mbetën shumë të panjohura për ecurinë e Besës në edicionin aktual. Ishte një qasje ndryshe, goxha e mbylltë, e që në aspektin e rezultateve nuk doli të jetë e qëlluar.
Vetëm të hënën për planet e Besës ka folur Leotrim Krasniqi, që nga roli i ndihmësit është graduar në trajner të parë të klubit pejan, dikur prej më të mirëve në vend.
Krasniqi 30-vjeçar, debutoi me humbje si trajner i parë i Besës së Pejës. Pejanët humbën të shtunën nga Ballkani me rezultat 3:0, por për Krasniqin dhe zyrtarët e klubit Besa, rezultatet e këtij edicioni tashmë janë në plan të dytë. Në plan të parë, sipas trajnerit Krasniqi, është nxjerrja e talenteve dhe shitja e tyre më pas në Evropë. Ky vlerësohet të jetë një “vizion” i ri i Besës.
Krasniqi pranon se Besa nuk është në situatë të mirë për ta siguruar ekzistencën në Superligë. Por, ai ka theksuar se ndaj secilës skuadër të elitës do ta japin maksimumin. Besa është në vendin e fundit me vetëm gjashtë pikë, ndërsa këtë edicion nga elita bien dy ekipe, pa llogaritur një që luan në plejaut.
“Normalisht që jemi në pozitë të vështirë në tabelë, mirëpo përderisa kemi gjasa matematikisht, ne do të mundohemi të marrim maksimumin çdo herë dhe t’i marrim ndeshje për ndeshje. Nuk do të futemi në lojë me flamur të bardh asnjëherë”, ka thënë Krasniqi të hënën për KOHËN.
Krasniqi është më i riu në mesin e trajnerëve në Superligë. Ai ka thënë se te Besa rastin deri në fund të këtij edicioni do ta kenë të rinjtë. Është edhe kërkesë e kryetarit të klubit, Ylli Kullashi, që të punohet në nxjerrjen e talenteve për t’ua dhënë mundësinë të depërtojnë në Evropë.
Në fakt në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, vetëm një lojtar i formacionit bazë te Besa ka qenë i moshës mbi 20 vjeç.
“Qëllimi i Besës është të krijohet një filozofi e punës dhe e lojës ku do të kenë mundësinë t’i dëshmojnë vlerat e tyre lojtarët e rinj. Ky është edhe vizioni i kryetarit të klubit dhe ne do t’i qëndrojmë besnik këtij projekti i cili kërkon kohë dhe ne duhet të punojmë shumë dhe në të njëjtën kohë të kemi durim, sepse me punë dhe kushtet të cilat i kemi, puna do të shihet”, është shprehur Krasniqi.
Krasniqi e po ashtu edhe futbollistët që bartin barrën kryesore të klubit janë të rinj. Krasniqi zejen e trajnerit e ka filluar në Shkollën e Futbollit “Shqiponjat”. Ka punuar edhe te klubi i futbollit Prishtina, ndërsa tash është trajner i parë i Besës. Ai premton se do t’i përgjigjet pozitivisht projektit të nisur nga kryetari Kullashi.
“Dëshira për të punuar dhe për t’u ngritur si person dhe si trajner është gjithmonë e pranishme te unë. Dëshiroj të punoj me këmbë në tokë duke e ditur se jam trajneri më i ri në Superligë. Dua ta menaxhoj karrierën time me kujdes dhe të mos dalë asnjëherë nga karakteri im”, ka theksuar ai.
Por, ai thotë se fokusi i tij dhe klubit është puna me gjeneratat e reja.
“Fokusin e kemi më së shumti në punë, normalisht objektivi i klubi është të nxjerr lojtarë, mirëpo duhet shumë punë. E rëndësishme për ne është ta vazhdojmë këtë rrugë të cilën e kemi nisur. Nuk jam në presion të rezultateve. Ekipi më është besuar për të punuar dhe për këtë u jam mirënjohës përgjegjësve në klub. Ne do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht në çdo stërvitje me shumë disiplinë dhe përkushtim”, ka thënë Krasniqi.
Kampionia e shumëfishtë e Kosovës ka humbur peshën që kishte në futbollin kosovar një kohë të gjatë. Kthimi në kategorinë e dytë duket i pashmangshëm, që shumë pejanë e vlerësojnë të papranueshëm për një klub me nam si Besa.